Besa Kokëdhima foli për herë të parë për pjesëmarrjen e saj në Eurovizion, ku përfaqësoi Shqipërinë me këngën “Titan”. Këngëtarja arriti deri në gjysmëfinale. E ftuar në “Cherry On Top” ajo u shpreh se e kishte menduar që mund të mos kalonim në finale dhe se kishte shumë probabilitet.

“E kisha menduar që mund të mos kalonim në finale, madje kishte shumë probabilitet. Edhe pse përfaqësimi ishte dinjitoz, ishim në disa rrethana që ndërlidheshin. Ishte finale shumë e fortë. Rastisëm me disa shtete që kishin 6 deri në 9 vjet pa kaluar në finale. Afërmendsh që do të kalonte një shtet që kishte shumë vite pa kaluar në finale. Nga dy shtete që ishin të tilla, kishin deklaruar se po të mos futeshin sivjet në finale, do të tërhiqeshin nga Eurovizoni”.

Megjithatë, ajo u shpreh se e shijoi shumë, ndonëse artistët përfaqësues të vendeve të vogla, nuk kanë kohë ta shijojnë, sepse janë shumë të angazhuar.

“E kam shijuar shumë. Krijova marrëdhënie shumë të mira dhe të dashura me shumë nga artistët. Nuk e di si ka funksionuar vitet e kaluara, por sivjet kishim një grup në “WhatsApp” ku komunikonim dhe komunikojmë ende me njëri-tjetrin. Por artistët përfaqësues të vendeve të vogla, si vendi ynë, nuk kanë shumë kohë për ta shijuar, sepse je vazhdimisht shumë e angazhuar, duke qenë se muzika në Shqipëri nuk ka struktura të mirëfillta, qoftë edhe Televizioni Publik Shqiptar, nuk e kanë mundësinë, jo se nuk duan, përpiqen patjetër, por nuk kanë mundësinë të kenë asistim të artistëve siç kanë shtetet e mëdha. Sfida ishte që ky diferencim të mos ndihej në skenë, në performancë dhe në marketing. Të ishte sa më dinjitoz që të mos ndihej diferencë me shtetet që kishin shumë staf dhe asistime.”

Më pas shtoi se ne jemi një vend i vogël dhe si vend i vogël që jemi, me mangësitë që kemi, Shqipëria kalon shpesh në finale.

Sigurisht, në një pikë të intervistës nuk ishte e mundur të mos ndaleshin te veshja e shumëpërfolur. “Me apo pa të brendshme?”, ishte pyetja që bëhej më së shumti pas performancës së këngëtares në Eurovizion.

“Patjetër që i kam të brendshmet. Po jua them, s’kam bërë kurrë një xhirim në jetë pa të brendshme, sepse nuk rri dot pa to”, – tha këngëtarja teksa Bora u ngrit dhe bëri me shenjë në ekran për të treguar se i ka. “Unë nuk bëj dot pa to, moj motër!”, shtoi dhe qeshi.