Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në seancën e sotme plenare, shprehu ambiciet e qeverisë për zhvillimin e aviacionit civil, shtimin e aeroporteve dhe fluturimeve.
Sipas ministres, aeroporti i Vlorës që pritet të hapet vitin e ardhshëm, do të jetë edhe aeroporti më i madh në Ballkanin Perëndimor dhe do të hapë rrugën edhe për fluturime transoqeanike. Balluku njoftoi themelimin e Akademisë Ajrore, me qëllim rritjen e kapaciteteve njerëzore.
“Arritjet janë të shprehura në shifra. Trafiku ajror në territorin e Shqipërisë ka një rritje progresive. Numri i fluturimeve parashikohet të rritet gjatë vitit 2024 me 10% krahasuar me vitin 2023 dhe 55% krahasuar me 2019, si viti i fundit normal para pandemisë.
Në vitin 2023, Shqipëria u rendit në vend të parë në Evropë për rikuperimin e trafikut. Sipas Eurocontrol, për vitin 2023, Shqipëria u rendit e para me një rritje me +31%. Kjo si pasojë e shtimit të kompanive ajrore, të cilat tashmë përdorin aeroportin ndërkombëtar të Rinasit, duke sjellë kështu dhe një shtim të destinacioneve të reja dhe flotave respektive. Parashikimi për 32% tregon një rritje me 32% të fluturimeve terminale, krahasuar me 2023 dhe një rritjet me 137% nëse e bashkojmë me 2019.
Po punojmë me ritme të shtuara për të nisur operimet në vitin 2025 në aeroportin e Vlorës. Të gjitha punimet civile do t’i mbyllim brenda vitit 2024, duke hapur kështu procesin e licencimit për një aeroport tjetër ndërkombëtar në Republikën e Shqipërisë, që do të jetë edhe aeroporti më i madh në Ballkanin Perëndimor.
Rritja dhe zhvillimi i aviacionit civil ka nxjerrë në pah nevojën për të rritur kapacitetet dhe burimet njerëzore. Për këtë qëllim, kemi vendosur të themelojmë akademinë ajrore, e cila do të ketë si objektiv rritjet e kapaciteteve njerëzore për të gjithë industrinë e aviacionit civil në vend”.