Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion i ka përcjellë Ministrisë së Drejtësisë kërkesën dhe dosjen për ekstradimin e Durim Bamit.
Megjithatë nuk është e sigurt nëse Durim Bami do të ekstradohet apo jo sepse praktikat e mëparshme kanë dështuar.
Një prej persona më të kërkuar në vendin tonë, Durim Bami ra në prangat e policisë në Dubai më 12 qershor, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar caktoi më datë 15.05.2024 masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Sigurimi kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kultivim i lëndëve narkotike”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”.
Anëtarët e grupeve kriminale kanë ofruar 1 milion euro për ‘kokën’ e Durim Bamit, ndërsa janë kërkuar vrasës me pagesë edhe nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Pas megaoperacionit të SPAK, “Metamorfoza 2”, ku u lëshuan 50 urdhër-arreste, për personat e botës së krimit në Shqipëri, dolën detaje nga dosja se si vepronin grupet kriminale për të eleminuar kundërshtarët.
Sipas informacioneve, Durim Bami kishte prishur balancat me krerët e grupeve, pasi dyshohet si autor i vrasjes së Alekasndër Ndokës. Arben Ndoka mobilizoi asetet e tij pasurore dhe kontaktet e tij me personazhe të botës së krimit apo ligjit për ta eliminuar. Ka pasur atentate me eksploziv apo rasti kur po udhëtonte me “Range Rover”, ku ndiqej kudo që lëvizte, nga 16 persona. U përdorën shumë mënyra për ta eliminuar Bamin, arritën deri aty sa të fusnin një “Helenë të Trojës”. Një vajzë që të hynte në shoqëri me të dhe të shërbente si informatore, por edhe në këtë rast nuk ia dolën, pasi atentati nuk u krye.