Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e pranishme në Konferencën e Nivelit të Lartë për Sigurinë Kibernetike në Ballkanin Perëndimor foli për arritjet e vendit në fushën e digjitalizimit, ndërsa nuk la pa përmendur edhe sulmin e vitit 2022. 

Fjala e ministres, Konferenca e Nivelit të Lartë për Sigurinë Kibernetike në Ballkanin Perëndimor:

Është gjithmonë kënaqësi e veçantë të mblidhemi të gjithë bashkë përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke qenë se tashmë është bërë traditë, tashmë lidhjet tona janë forcuar dhe tashmë ne funksionojmë si një trup i vetëm, pasi kemi kuptuar prej kohësh që duke funksionuar si të tillë jemi më të fortë dhe më të rëndësishëm. Aq më tepër kur flitet për një temë kaq delikate, siç është siguria kibernetike ndaj të cilës tashmë jemi të ndjeshëm, jo vetëm ne vendet e Ballkanit, duke ditur dhe sensibilitetet tona, por e gjithë bota, madje dhe vendet më të zhvilluara ekonomikisht. Është e rëndësishme që konferenca si kjo e sotmja të kenë vëmendjen e veçantë të qeverive dhe të ligjvënësve dhe padyshim çka është më e rëndësishme është bashkërendimi i të gjithë veprimtarive midis sektorit privat, atij publik, qeverisjes dhe padyshim Bashkimit Europian.

Duke pasur parasysh se sot jeta është më shumë virtuale se kurdoherë tjetër, duke pasur parasysh që madje dhe marrëdhëniet personale midis qenieve njerëzore po kthehen në marrëdhënie virtuale, duke pasur parasysh se rrjetet sociale luajnë një rol të rëndësishëm duke nisur nga informimi, dizinformimi, edukimi dhe ç’edukimi i brezave, sigurisht duhet antidota për të gjithë këtë situatë virtuale e cila ka kaluar dhe ka hyrë në të gjitha poret e lëkurës të çdo njeriu globalisht.

Në këto kushte, ndërkohë që zhvillojmë dixhitalizimin në fushën ekonomike, në infrastrukturat kritike, siç thamë në marrëdhëniet njerëzore duhet patjetër të zhvillohet edhe antidota që është cyber security. Nëse ka një dëshmitar i cili mund t’ju flas për këtë çështje është Shqipëria, sepse e kemi provuar nën lëkurë se çdo të thotë të zhvillohesh nga ana dixhitale dhe të ofrosh më shumë se 99% të shërbimeve online, pra si administratë publike, por sigurisht edhe fusha të tjera të sektorit privat, siç është ai bankar etj., dhe të gjendesh para faktit të një sulmi të jashtëzakonshëm të sponsorizuar fuqimisht nga qeveri të vendeve të tjera. Nëse do të dëgjoni ndonjë vend tjetër tek gjendeni në evente të ngjashme, askush nuk do të kishte aftësinë më të mirë për t’ju treguar sesi funksionon goditja kibernetike dhe sesi mund të gjunjëzojë një vend të tërë. Kështu që Shqipëria në ndërkohë që prej vitit 2013, duke kulmuar në vitin 2019, ka investuar fuqimisht në ngritjen e një shoqërie dixhitale, u gjend në korrik të vitit 2022 në një sulm të jashtëzakonshëm, të konsideruar nga të gjithë partnerët tanë që na mbështetën në ato momente, me një impakt shumë të madh në bllokimin e një sërë shërbimesh shumë të rëndësishme. Ai ka qenë një moment kyç për vendin tonë, për një vendimmarrje shumë të rëndësishme, që për të thënë të drejtën rezultoi që të ishte e duhura.

Vendosëm menjëherë, mbasi i dhamë zgjidhjet e para, sigurisht duke u mbështetur tek partnerët tanë të Bashkimit Europian, partnerët tanë të Shteteve të Bashkuara apo edhe partnerë të tjerë siç janë Emiratet e Bashkuara apo Izraeli dhe sapo dolëm nga emergjenca e parë vendosëm që të nisnim një rrugëtim të mirëstudiuar për të forcuar cyber security, pasi dixhitalizimi nuk mund të ecë përpara pa pasur dhe antidotën e tij. Në këto kushte forcuam atë që sot ne e quajmë Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike, ish AKCESK-u pasi është bërë shumë i njohur dhe mua më duhet ta përmend me emrin që ka pasur më parë. E forcuam në pikën për tu bërë atraktiv për djemtë dhe vajzat e reja që në Shqipëri nuk mungojnë dhe që kanë trurin brilant të tyre, por që administrata shtetërore nuk ka qenë kurrë tërheqëse për ta për shkak ndoshta edhe të pagës jo konkurruese në treg. Kështu që rishikuam menjëherë mundësinë për të hapur dyert për këto vajza dhe për këto djem dhe për ti akomoduar ata me shpërblime më të mira dhe për ti bërë ata që të kuptonin që ishte një mision që i ofronin Shqipërisë, që i ofronin kombit, mbrojtja kibernetike.

Sot armët nuk janë më konvencionale. Sot lufta bëhet për energji. Lufta bëhet për dixhitalizim, lufta bëhet patjetër me armë shumë të sofistikuara. Ndaj, përveç gjithçka që ne na u desh të bënim përsa i përket ngritjes së një trupe ekspertësh, të cilët patjetër u trajnuan, siç ju thashë nga partnerët tanë, atëherë na u desh që të fillonim dhe të zbatonim një sërë hapash bazuar në përafrimet ligjore, bazuar mbi zbatimin e standardeve të larta dhe praktikave më të mira të vendeve të zhvilluara të Bashkimit Europian, në koperim të plotë me partnerët në fushën e sigurisë të cilat morën një rëndësi shumë të veçantë për të gjithë vendin tonë.

Krijimi dhe ofrimi i shërbimeve të besueshme dhe të sigurta në mjedisin dixhital ndërkufitar për ne është një nga prioritetet qeveritare, prioritetet kombëtare, pasi ashtu siç kemi bërë edhe në fushën ekonomike ku e konsiderojmë Ballkanin Perëndimor si një të vetëm, ashtu duhet konsideruar edhe përsa i përket zhvillimeve dixhitale dhe është kënaqësi që e gjithë kjo paketë të jetë pjesë e Growth Plan për të cilin të gjitha vendet tona po punojnë në mënyrë individuale, por edhe të përbashkët.

Integrimi dixhital me të gjithë komponentët e tij, ku nuk mungon bashkëpunimi në fushën e sigurisë kibernetike, është një nga shtyllat kryesore të këtij plani, Grouth Plan, të miratuar në nëntor të vitit 2020 në Samitin e Sofies dhe padyshim që mbetet si një nga drejtimet kryesore për planin e ri të CRM 2025-2028.

Shqipëria është një nga vendet që ka bërë një progres të dukshëm në zhvillimin e infrastrukturës dixhitale dhe në ofrimin e shërbimeve publike elektronike. Në rrugën e këtij zhvillimi na u desh të përballonim një sulm të fortë, ashtu siç ju thashë, në 2022 që u kthye në një leson learned për të gjithë ne. Ndaj në përgjigje të këtij sulmi, përveç ngritjes së një trupe të rëndësishme ekspertësh, Shqipëria ka bërë një sërë hapash duke u bazuar mbi masa konkrete.

Shqipëria është ndër vendet e para që ka transpozuar direktivën e NIS2 të BE-së, duke rritur kërkesat për sigurinë e infrastrukturave kritike të informacionit dhe strukturave të rëndësishme të informacionit.
Fusha e veprimit e ligjit për sigurinë kibernetike është zgjeruar duke përfshirë të gjithë gamën e infrastrukturave dixhitale dhe të ofruesve të tyre sipas standardeve më të fundit të Bashkimit Europian.
Është fuqizuar autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike i cili ka përthithur ekspertët më të mirë të sigurisë kibernetike në vend dhe çka është më e rëndësishmja, AKCESK ka ngritur Qendrën Kombëtare Operacionale të Sigurisë Kibernetike e cila monitoron 24 orë në 7 ditë të javës një sërë infrastrukturash kritike, sipas listës.
Është investuar në rritjen e sigurisë së infrastrukturave dixhitale publike për të garantuar shërbime të sigurta. Është investuar në ngritjen e SOC për rritjen e ndërgjegjësimit. Është rritur bashkëpunimi me partnerët. Shqipëria është e angazhuar edhe në iniciativën për rrjete të pastra.

Shqipëria ka miratuar së fundmi ligjin e ri për komunikimet elektronike ku parashikohen dispozita për forcimin e sigurisë së rrjeteve të komunikimeve elektronike ku në veçanti parashikohen masa për garantimin e sigurisë së ofruesve, të furnizimeve gjithashtu.

Shqipëria gjithashtu ka arritur të organizojë aktivitete për rrije kapacitetesh dhe ndërveprim mes strukturave përkatëse përgjegjëse. Shqipëria mbetet, padyshim e angazhuar, për të progresuar në axhendën e saj dixhitale dhe në procesin e integrimit europian për ndërtimin e rrjeteve të sigurta dhe të qëndrueshme që të sigurojë kështu ofrimin e shërbimeve të ndërveprueshme dhe të besueshme që ofrojnë besimin dhe padyshim përfitime për shtetasit tanë në respekt të lirive dhe të drejtave themelore në mjedisin dixhital.

Kështu që unë ju uroj sot shumë suksese. Mendoj që çdo herë që mblidhemi bashkë për të folur për çështje sensitive secili nga ne përfiton diçka më shumë përsa i përket eksperiencës, përsa i përket mënyrave të reja të operimit, por nga ana tjetër ato që përfitojnë më shumë janë shtetet tona, shtetet e Ballkanit Perëndimor, të cilat ndryshe nga shtetet e tjera europiane janë shumë më të ekspozuara ndaj sulmeve kibernetike edhe për shkak të vendosjes gjeopolitike dhe për shkak të të gjithë habitatit diplomatik në të cilin ndodhemi.