Disa persona janë parë me çanta të zeza, maska dhe kapele në protestë, të cilët dyshohet se janë ata autorët e hedhjes së molotovëve.

Nuk dihet ende identiteti i tyre, ndërsa dera e Kryeministrisë është djegur plotësisht.

Në tre orë protestë, e cila nisi fillimisht para Kryeministrisë dhe u zhvendos në bashkinë e Tiranës për t’u mbyllur më pas në selinë blu, protestuesit hodhën molotov drejt godinave

Hedhja e lëndëve plasëse nisi në momentin që kreu i PD-së, Sali Berisha mori fjalën virtualisht nga banesa e tij.

Policia dhe forcat RENEA u vunë në gatishmëri duke bërë thirrje për vetëpërmbajtje në protestë.

Dy ishin kërkesat kryesore të demokratëve, krijimi i qeverisë teknike dhe lirimi i liderit të opozitës, Sali Berisha, i cili ndodhet në izolim prej 7 muajsh.

Fillimisht përfaqësuesit politikë të Partisë Demokratike dhe mbështetësit e tyre u mblodhën në selinë blu, për të marshuar më pas drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Flamur Noka, Belind Këlliçi, Tomor Alizoti, Agron Gjekmarkaj, Edi Paloka, Gazment Bardhi, Ina Zhupa, Jorida Tabaku ishin disa nga zyrtarët e PD-së që ishin pjesë e protestës.

Në podium mbajti fjalën edhe kreu i PL, Ilir Meta, i cili sulmoi kryeministrin Edi Rama dhe kreun e SPAK, Altin Dumani.