Nga 9 maji deri më 10 korrik 2024, Prezenca e OSBE-së mbështeti fushatën informuese, edukuese dhe ndërgjegjësuese të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), që synon të informojë dhe të përfshijë të rinjtë, gratë dhe pakicat, në të gjithë Shqipërinë, në aspekte të ndryshme të procesit zgjedhor.
Faza e parë e takimeve u zhvillua me studentët e universiteteve të Korçës, Shkodrës, Durrësit, Elbasanit dhe Vlorës. Ata mësuan për organizimin dhe funksionimin e administratës zgjedhore dhe eksploruan mundësitë për përfshirjen e tyre në kapacitete të ndryshme në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025. Gjatë një simulimi të procesit të votimit, studentët luajtën rolet e subjekteve zgjedhore, komisionerëve e zgjedhësve dhe, më pas, diskutuan për hapat e procesit të votimit, plotësimin e fletëve të votimit dhe administrimin e materialit zgjedhor.
Faza e dytë, e realizuar në bashkëpunim me Rrjetin e Fuqizimit të Gruas në Shqipëri, u zhvillua me gratë dhe pakicat në Laç, Gjirokastër, Berat, Pustec dhe Finiq. Diskutimet u fokusuan në mënyrat për të fuqizuar përfaqësimin e grave në vendimmarrje dhe për të rritur pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje. Ekspertë nga KQZ-ja, Rrjeti dhe Prezenca e OSBE-së kontribuan në diskutime.
Rreth 500 persona morën pjesë në këto veprimtari, të cilat ishin pjesë e projektit të Prezencës së OSBE-së “Mbështetje për reformën dhe procesin zgjedhor në Shqipëri”, financuar nga Suedia, Zvicra, Misioni i SHBA-së në OSBE dhe Polonia.