Në 24 orët e fundit, sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile janë raportuar 9 vatra zjarri, nga të cilat janë shuar 7 vatra dhe janë aktive 2.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ministria e Mbrojtjes njofton se aktualisht po punohet në fshatin Kakodhiq të bashkisë  Delvinë për izolimin e plotë të vatrës, i cili është vazhdimi i zjarrit masiv që kish përfshirë fshatin Kardhikaq në bashkinë Finiq. Në vendngjarje po operojnë forcat zjarrfikëse të bashkisë Delvinë dhe efektivë të Forcave të Armatosura.

Po ashtu vijon puna për izolimin e vatrës së zjarrit pranë liqeneve të Lurës, në fshatin Gurë – Lurë të bashkisë Dibër, vazhdim i zjarrit të rënë në një sipërfaqe me pisha. Në terren po efektivët zjarrfikës të bashkisë Dibër, forca nga Administrata e Zonave të Mbrojtura, Shërbimi Pyjor e forca bashkiake si dhe 50 efektivë nga Forcat e Armatosura.