Një shpërthim me lëndë plasëse ka ndodhur orët e para të ditës së sotme në qytetin e Elbasanit.

Ngjarja ka ndodhur në korridorin e katit të katërt të një pallati në lagjen ‘Haxhias’.

Në apartamentin ku ishte vendosur lënda plasëse jetonin me qira dy shtetase.

Si pasojë e shpërthimit ka patur dëme materiale, por është plagosur edhe një 26-vjeçar, i cili banonte në hyrjen përballë.

26-vjeçari i plagosur ka marrë ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Elbasan/Informacion paraprak

Rreth orës 02:30, në lagjen “Haxhias”, në korridorin e katit të 4-t të një pallati në derën e hyrjes në pronësi të shtetasit B. B., 59 vjeç, në të cilën jetonin me qira dy shtetase ka shpërthyer një sasi lënde e dyshuar plasëse.

Si pasojë janë shkaktuar dëme materiale. Ndërkohë po nga shpërthimi është dëmtuar aksidentalisht nga dera e dhomës së tij shtetasi E. Th., rreth 26 vjeç, i cili banon në hyrjen përballë. 26-vjeçari momentalisht është jashtë rrezikut për jetën.

Është ngritur një grup i posaçëm hetimor me specialistë për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan dhe Departamentit të Policisë Kriminale në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën për zbardhjen e rastit, identifikimin e kapjen e autorit/ve.