Nga Aleksandër Cangonja

Mbas luftës së parë botërore në trevat e okupuara të Shqiptarëve dhe të ligjëruara në 1913 nga konferenca e Londrës, jashtë territorit zyrtarë të Shqipërisë ngelën rreth 1 milionë Shqiptarë. Në fillim vitet 20′ të shekullit të kaluar shtetet tona fqinje filluan të përdornin manovra të ndryshme për të shpërngulur Shqiptarët autoktonë. Serbia mbasi okupoi Malin e Zi dhe për të dobësuar rezistencën e lidërve Malazezë aplikoi sistemin e zhvendosjes së popullsisë “duke i ngritur këta prej malevet të tyre e i shpuri në fushë të Kosovës. Ky vendim shkaktoi ikjen e një pjese së kosovarve për në Turqi, dhe kështu në vendin e këtyre u vendosën katundarë Kroatë, ose Serbë të vjetër”(1)

E njëjta gjë ndodhi dhe shtetin Grek në zonën e Çamërisë, mbas përfundimit të luftës Greko-Turke me fitimin e luftës prej kësaj të fundit në vitin 1922, Turqit përzunë Grekët e Anadollit dhe pastaj në Lozanë të Zvicrës u vendos marrëveshja që Grekët e Anadollit dhe Thrakisë të kthehen në Greqi ndërsa muslimanët e Greqisë të shkojnë në Turqi. Një pjesë të Shqiptarëve të Kosovës dhe Çamërisë nuk pranuan të shkonin në Turqi dhe erdhën në Shqipëri. Për të rregulluar situatën në vend dhe për ti garantuar një jetë sa më të rehatshme këtyre emigrantëve Shqiptare, qeveria Shqiptare e kryesuar nga Ahmet Zogu me datë 14 qershor 1923 vuri në veprim një ligj të posacëm ku “të gjithë Shqiptarët nga rraca dhe gjuha që kanë mbetur jashtët kufirit politik janë konsideruar emigrantë dhe kanë të drejtën të vendosen duke fituar njëherësh nënshtetësinë Shqiptare dhe u jepet nga 25 dynym tokë nga ato të shtetit për ta punuar dhe jetuar”(2)

Në 1925 u krijua një drejtori nën kryesinë e Teki Selenicës me antare nderi zonjën Ruth Pennington (1884-1970) dhe dy antarë Kosovarë, duke filluar direkt nga puna për të emigrantët në toka shtetërore të rretheve të Krujës, Kavajës, Durrësit, Lushnjës, Fierit, Beratit dhe Delvinës.

Tokat e dhëna emigrantëve dhe shtepitë e ngritura për to u bënë pasuria e tyre definitive sipas ligjit në fuqi. Gjithë emigrantë ishin të përjashtuaf nga çdo taksë dhe tatim dhe nga çdo detyrim për tri vite rrjesht që prej datës së instalimit të tyre në Shqipëri, dhe u jepet një sasi të hollash si hua për nevojat e tyre bujqësore, hua e cila vilet brenda 10 viteve mbas tri vitesh të datës së instalimit dhe pjestohet në këste të ndryshme.

Grupet e emigrantëve që janë sjellur me shpenzimet e qeverisë apo kanë ardhur vetë e që janë vendosur në toka shtetërore ku kanë formuar fshatra të veçanta shteti i garanton vende të posaçme për kullotje, dru dhe varreza.

Shpenzimet e qeverisë për emigrantët për tre vjet shkojnë 452,961 franga ari. Ato janë përdorur nga komisionet lokale duke ju dhënë çdo familje 300 franga ari për veglat bujqësore, nga një plug 25 franga ari dhe nga 5 franga ari në muaj për çdo frymë të familjes për ushqim, këtyre u është siguruar transporti i tyre nga Turqia në Sarandë dhe Vlorë, nga Selaniku në Korcë dhe Lushnje, nga Kosova në Shkodër-Durrës dhe nga Janina në Leskovik dhe Kolonjë dhe më pas në vendet e tyre të instalimit.

Emigrantët në zonën e Durrësit.

Në Durrës erdhën gjithsej 185 familje me një popullsi prej 581 banorësh, ata u instaluan në Shënvlash, Sukth, Xhafzotaj, Arapaj dhe Sallmone të ndarë sipas fotos më poshtë(3).

Ndërsa shuma totale e emigrantëve të instaluar në Shqipëri është 1413 familje ose 6109 banorë.

Referencë:

1) Raporti i datës 23 Qershor 1923 me numër 494 Mit’hat Frashëri.

2) Teki Selenica “Shqipria më 1927”.

3) Teki Selenica “Shqipria më 1927”.