Policia ka parandaluar një ngjarje të rëndë mbrëmjen e kaluar në Velipojë, ku një sherr mes të rinjve mund të kishte sjellë pasoja për jetën.

Gjatë një grindjeje mes dy të rinjve, një 19-vjeçar ka nxjerrë një thikë për të goditur 22-vjeçarin, por fatmirësisht është ndaluar në kohë nga efektivët, të cilët e kanë arrestuar.

Ndërsa është proceduar penalisht 22-vjeçari i akuzuar për goditje me grushta ndaj adoleshentit.

Mesditën e djeshme, menjëherë pas njoftimit për një konflikt ndërmjet disa të rinjve, për motive të dobëta, në vendparkimin e automjeteve, në një subjekt në qendër të Velipojës, shërbimet e Stacionit të Policisë Velipojë kanë shkuar në vendngjarje, për të parandaluar përshkallëzimin e këtij konflikti dhe për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, autorin/ët.

Si rezultat, u kap sapo kishte nxjerrë nga automjeti, mjetin prerës (thikë), për ta përdorur në konflikt, dhe u arrestua shtetasi K. S., 19 vjeç.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për shtetasin K. T., 22 vjeç, pasi gjatë konfliktit, ka goditur me grushte të arrestuarin“, njofton policia.