Është vetëvrarë mëngjesin e kësaj të shtune Olsi Ibro, një prej pronarëve të kompanive të mikrokredive i cili ishte akuzuar për mashtrimin e mijërave qytetarëve.

Sipas policisë, 45-vjeçari është hedhur nga një pallat në ndërtim në rrugën “Rramazan Shijaku” në kryeqytet.

“Më datë 20.07.2024, në rrugën “Ramazan Shijaku”, dyshohet se është vetëhedhur nga lartësia e një pallati në ndërtim e sipër, shtetasi O. I., 45 vjeç, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra, ka ndërruar jetë në vendngjarje. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, njoftojnë blutë për ngjarjen.

Ditën e djeshme, Prokuroria e Tiranës i ka sekuestruar Ibros të gjitha pasuritë e tij, ndërkohë që bashkëshortja Elsa Ibro ndodhet në “arrest shtëpie” për kryerjen e veprave penale “shpërdorim detyre” dhe “vjedhje”. 

Skema e zhvatjes së qytetarëve u zbulua nga hetuesit e Prokurorisë së Tiranës në Maj të këtij viti. Më 23 maj, Gjykata e Tiranës lëshoi 9 masa arresti për akuzën e “skema mashtruese dhe piramidale”.