Olsi Ibro, 45-vjeçari i cili ndërmori aktin ekstrem të vetëvrasjes, ka konsumuar fostoksinë para se të hidhej nga pallati.

Olsi Ibro u hodh nga një pallat në ndërtim në rrugën “Ramazan Shijaku” në Tiranë dhe gjeti vdekjen e menjëhershme. Godina ku 45-vjeçari kreu këtë akt ndodhet vetëm pak metra nga pallati ku ai jetonte me familjen e tij.

Viktima ishte një nga personat e përfshirë në skandalin e mikrokredive. Vetëvrasja është pista e parë e kësaj ngjarje e cila megjithatë është nën hetim.

Një ditë më parë prokuroria e Tiranës sekuestroi disa institucione mikrokredi me akuzën e zhvatjes, pastrimit të parave. Viktimë e skemës së mikrokredive kanë rënë dhjetëra mijë shqiptarë me disa milionë euro të zhvatura. gjykata aprovoi sekuestron preventive ndaj dy shoqërive Micro Credit Albania dhe “Final”, të dyshuara se kryen mashtrim me pasoja të rënda në dëm të mijëra qytetarëve si dhe pastruan para.

Dy shoqëritë e sekuestruara në bashkëpunim me ADCA dhe shoqëri përmbarimore krijuan një skemë për të vjedhur qytetarët në vlera disa milionë euro. Ndërsa gjykata aprovoi sekuestrimin krimi ekonomiko financiar kreu inventarin e dosjeve në selitë e të dyja shoqërive.