Një autobus me turistë shqiptarë është përfshirë në një aksident të rëndë rrugor në Itali pasditen e sotme rreth orës 16:00.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, menjëherë pas informacionit mbi aksidentin automobilistik në Katania, është vënë në komunikim me autoritetet italiane, përmes ambasadës së RSH në Romë dhe konsullatave të RSH në Milano e Bari.
Mësohet se 16 persona kanë mbetur të plagosur, por se askush prej tyre nuk është në gjendje të rëndë.
Sipas informacioneve paraprake, të gjithë të lënduarit kanë marrë ndihmën e nevojshme nga autoritetet shëndetësore e janë jashtë rrezikut për jetën.
Me porosi të Ministrit Igli Hasani, përfaqësuesit e ambasadës dhe konsullatave po monitorojnë situatën e janë në kontakt të vazhdueshëm me palën italiane.