Kampioni i Evropës në WBO, boksieri shkodran Nelson Hysa renditet në vendin e 11-të në botë për peshat super të rënda, duke vendosur një rekord edhe për këtë sport në vendin tonë. Fitorja e fundit ndaj gjermanit Thorstan Fucks, e cila ishte e 18-ta në karrierë dhe e 16 me K.O, ka bërë që Hysa të ngjitet mes më të mirëve në botë.

Fitorja e fundit e ka ngjitur 39-vjeçarin në një pozitë shumë komod në listën botërore të Federatës WBO, pikërisht në të 11-tin dhe ky është një sukses i jashtëzakonshëm jo vetëm për këtë sportist, por edhe për boksin shqiptar në tërësi.

Në peshën super të rënde, atë +91.17 kg ku superkampion i botës është ukrainasi Oleksandr Usyk, në vend të parë në renditje është britaniku Anthony Joshua, ndërsa në vend të dytë renditet britaniku tjetër Tyson Fury. Kinezi Zhilei Zhang në vendin e tretë.

Pas Nelson Hysës i cili është kampion Evrope në WBO, janë Martin Bakole, apo edhe Jermaine Franklin i SHBA-së si dhe britaniku Joe Joyce.