Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka raportuar sot në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave për ligjin e ri të Policisë së Shtetit. Ai theksoi se punonjësit e Policisë do jenë më të orientuar drejt shërbimit ndaj qytetarëve. Në draft janë parashikuar një sërë risish për blutë, që nga arsimimi e deri te trajtimi financiar.

“Ligji i ri mundëson përkufizim më të qartë të autoritetit policor, të ushtrimit dhe kufizimeve të këtij autoriteti. Ligji përmirëson, organizimin, menaxhimin, funksionimin e strukturave dhe proceset e procedurat brenda organizatës së Policisë së Shtetit. Ecurinë në karrierë po ashtu, duke u përafruar me standardet e BE-së, pa harruar efiçensën në përmbushjen e detyrimeve institucionale. Policimi i së ardhmes do jetë i bazuar në inteligjencë, të hedhim bazat e shëndosha për një infrastrukturë të përshtatshme ligjore dhe modernizimin e shërbimit”, u shpreh Balla.

Ministri bëri me dije se 100 studentët e parë në Akademinë e Sigurisë që përfundojnë bachelorin do të marrin direkt gradën nënkomisar.

“Kjo do na shëronte disi nevojën e madhe për punonjës policie në gradën nënkomisar, janë pjesa më e rëndësishme sa i takon hetimit.”

Ai shtoi se ligji i ri “përforcon rregullat në trajtimin e duhur financiar të punonjësve.”

“Edhe Policia e Shtetit është përfituese e një rritjeje të konsiderueshme të pagave në këtë muaj që flasim dhe po ashtu më në fund është zgjidhur një problematikë që është pagesa e ushqimit përmes një sistemi tepër transparent me karta bankare. Është propozuar edhe kostoja e efektit financiar sipas vjetërsisë, duke filluar nga Janari 2026”, përfundoi Balla.