Të paktën 25 persona janë shoqëruar nga policia për masakrën me 3 të vrarë e 1 të plagosur. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së shtunës, në një lokal në Memaliaj.  

Viktimë nga ky atentat mbeti 74-vjeçari Shyqyri Kalemi, që dyshohet të jetë dhe objektiv i këtij atentati, kamarieri Gledio Muka, 36 vjeç dhe 47-vjeçari Marsel Çela, klient i rastësishëm në lokal. Ndërsa i plagosur mbeti vëllai i 74-vjeçarit Artur Kalemi. Hakmarrja është pista kryesore mbi të cilën po heton policia. 

Hetuesit po ashtu po kryejnë ekspertizat përkatëse mbi armët e gjetur në makinën që dyshohet se u përdor nga autorët. Automjeti në fjalë u gjet në flakë në Mallakastër. 

Ndërkohë, autoritetet nuk kanë mundur ende të marrin dëshminë e të plagosurit, pasi ky u fundit ndonëse janë rrezikut për jetën, vijon të jetë në kujdes intensiv.   

Masakra e së shtunës dyshohet të ketë ndodhur për motive hakmarrje si pjesë e sagës së krimeve të ndodhura që prej 11 qershorit të vitit 2022, kur mbeti i vrarë në Tiranë me shpërthim të telekomanduar Aleksandër Sadikaj.