Në Ditën Botërore të Refugjatëve, më 20 qershor, Papa Françesku lëshon një tjetër thirrje të fortë në mbështetje të refugjatëve.

Duke folur para besimtarëve katolikë në sheshin Shën Pjetër të Vatikanit këtë të diel, Ati i Shenjtë kërkoi që njerëzit të hapim zemrat për refugjatët e përvuajtur, të bëjmë tonat trishtimet dhe gëzimet e tyre dhe të mësojmë nga qëndrueshmëria dhe guximi i tyre për një jetë më të mirë.

Sipas kreut të Kishës Katolike Botërore, i gjithë njerëzimi është një familje e madhe që duhet të ndihmojë bashkanëtarët e saj në nevojë.

Edhe të dielën e kaluar, Papa Françesku tërhoqi vëmendjen për të ndihmuar refugjatët që vijnë kryesisht në Europë nga Afrika dhe vendet e Lindjes, një pjesë e të cilëve kanë humbur jetën duke u mbytur në ujërat e Mesdheut. Jo pa qëllim, ai e quajti Detin Mesdhe “një varrezë të madhe”.