Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau në rrjetet sociale dëshminë e një prej përfituesve nga vendimi i fundit i qeverisë për zgjerimit të fashës së përfituesve të fishave të diabetit falas.

Vendimi i qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale parashikon që nga 1 gushti, edhe invalidët e punës dhe personat me aftësi të kufizuar të grupmoshës nga 25 vjeç deri në 65 vjeç do të përfitojnë 100% falas fishat e diabetit.

“Bajrami është një nga qytetarët i cili sapo u njoh me vendimin e qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për zgjerimin e fashës së përfituesve të fishave të diabetit falas reagoi duke më shkruar një mesazh falenderues dhe me insistim kërkoi që atë ta përkthente edhe në këtë videomesazh, për të cilin e falenderoj nga zemra”, shkruan Koçiu.

“Tani, përveç grupmoshës nga 0 deri në 25 vjeç dhe pensionistëve mbi 65 vjeç, edhe invalidët e punës dhe personat me aftësi të kufizuar të grupmoshës nga 25 vjeç deri në 65 vjeç do të përfitojnë 100% falas këto fisha. Duke filluar nga data 1 gusht, kjo kategori e popullatës e diagnostikuar me Diabet Mellitus nga mjeku i familjes, do të përfitojë falas fishat e diabetit për matjen e glicemisë”, nënvizon Koçiu.

Ndërkohë, në videon e shpërndarë me median, Bajrami thekson se ky vendimi i qeverisë lehtëson kostot e jetesës për invalidët dhe personat me aftësi të kufizuar.

“Jam invalid prej 15 vitesh. Më erdhi shumë mirë kur ministrja tha se personat me aftësi të kufizuar dhe invalidët do të konpensohem me fishat e matjes së diabetit. Shtresa jonë është një shtresë vulnerabël, e do përkujdesjen në këtë drejtim. Kostoja është e ndjeshme për shtresën tonë dhe ky vendim na lehtëson shumë”, u shpreh Bajrami.