Mijëra fansa të këngëtares Taylor Swift arritën të ndiqnin koncertin e saj në Mynih pasi u ngjitën në një kodër pranë vendit të koncertit. Pavarësisht vapës, me temperatura që arrinin deri në 31 gradë Celsius, ata zunë vende në kodër disa orë para se të fillonte koncerti madhështor.

Sipas vlerësimeve të policisë, rreth 25,000 fansa të Swift ndoqën koncertin e saj në Olympiastadion nga distanca. Në vend që të dekurajonte pjesëmarrjen “falas”, organizatori i koncertit shpërndau ujë për fansat jashtë stadiumit.

Këngëtarja ka bërë një referencë për ata që nuk kanë arritur të gjejnë biletë: Ne kemi njerëz jashtë stadiumit, mijëra njerëz që dëgjojnë nga parku.

Koncerti i së dielës ishte i fundit i këngëtares amerikane në Gjermani si pjesë e turneut të saj “The Eras Tour”. Në fund të koncertit filloi të bjerë shi dhe këngëtarja performoi këngën e fundit ‘Karma’ duke kërcyer në shoqërinë e rreshjeve.