Detaje të reja kanë dalë në lidhje me megaoperacionin e SPAK, ku janë lëshuar disa urdhër arreste, ndërsa masë sigurie është dhënë edhe për Hajdar Bakon, i njohur si “Dari i Elbasanit”, i cili u arrestua dy muaj më parë në Dubai për plagosje të rëndë.
Por emri i Bakos del në dosjen “Plumbi i Artë”, ku i penduar i drejtësisë, Nuredin Dumani ka treguar disa vrasje. Për Hajdar Bakon, Dumani thotë se ai kishte porositur vrasjen e rivalëve të tij.
Nga dosja hetimore rezultonte se Dumani, ka dëshmuar se grupi i Erjon Alibej alias Agim Shurbi me pseudonimin “Krymi” dhe grupi i Hajdor Bakos alias (Çopja), i thirrur shkurtimisht “Dari”, janë vënë në garë për të eliminuar njëri-tjetrin.
Vetë Dumani atë kohë pranoi para SPAK se kishte mbajtur kontakte me dy grupet rivale në Elbasan, atë të Erjon Alibej dhe Hajdar Bakos.
“…Arjan Spahiu, që mbeti i vrarë në Belgjikë, ka qenë në listë për tu ekzekutuar nga vëllezërit Çopja, të cilët janë financuesit. Talo Çela, më ka thënë mua që nëse kryeja vrasjen e Arjan Spahisë, do më jepte 300 mijë euro…”, shprehej Dumani.