Teuta prej ditësh vijon stërvitjen në Pukë. Skuadra ka punuar me një seancë në ditë në fazën e përgatitjeve për ndeshjen e parë në kampionat më 18 gusht kundër Bylisit. Kapiteni Blerim Kotobelli thekson se Teuta është mjaft e mobilizuar dhe do të mundohet ta nisë sezoni mbarën në fushën e tyre.
Blerim, si paraqitet gjendja e ekipit pas gati një muaji përgatitje?
Kushtet janë shumë të mira. Temperaturat janë normale, nuk është ai më ai nxehti që lamë në Durrës. Po përgatitemi 100% çdo ditë me përkushtim dhe dje kishim një seancë stërvitore. Gjendja në ekip është e mirë dhe për këtë arsye, mund të them se jam i kënaqur. Megjithatë, kemi ende shumë punë për të bërë.
Pritet të zhvilloni dhe një tjetër miqësore të martën me Burrelin, si e shihni?
Kjo miqësore është ndeshje për të parë kondicionin fizik të lojtarëve, kemi kohë mjaftueshëm përpara për t’u përgatitur ashtu si duhet dhe deri në startin e kampionati jemi të bindur se do të jemi gati.
Në miqësoren e fundit kundër Otrant, ekipi u shfaq i freskët dhe i rrjedhshëm në lojë?
Në çdo punë që punon ka probleme. Ne duhet të mësojmë si t’i përmirësojmë këto probleme, që na dalin në një ndeshje miqësore, prandaj quhen sfida miqësore që të rregullojmë gabimet dhe të jemi gati për ndeshjet zyrtare.
Fakti që e nisni në Durrës, mendoni se jua bën më të thjeshtë startin e sezonit?
Unë e besoj se në rast se e studiojmë kundërshtarin besojmë që do të bëjmë të pamundurën për të marrë maksimumin nga ajo ndeshje, por kurrsesi kjo gjë nuk na bën që as ta nënvlerësojmë. As ta mbivlerësojmë këtë kundërshtar. Duhet të bëjmë lojën tonë, të futemi në fushë për të marrim një rezultat pozitiv siç është fitorja dhe ta tentojmë ta nisim mbarë.
Si e shihni këtë sezon të ri, a do të jetë më i vështirë?
Nuk duhet të shohim ekipet kundërshtare. Diferencat në kampionatin shqiptar janë shumë të vogla. Të bëhemi skuadër sa më e konsoliduar dhe të marrim rezultate. Kush është ai që nuk do të dalë sa më mirë, qoftë unë dhe të gjithë ne si klub.