Pogradeci me të gjitha ngjyrat që “vesh” gjatë 4 stinëve të vitit është ulur këmbëkryq në galerinë e artit pamor “Nikolet Vasia” në Durrës.

Me rreth 60 tablo, të punuara nga viti 2020 e në vazhdim, piktori nga Pogradeci Kudret Durollari ka çelur pasditen e së mërkurës në qytetin bregdetar ekspozitën e tij personale “Gjurmë drite”.

Me penelata mjaft të kujdesshme, miksimin perfekt të të gjitha ngjyrave të peisazhit, si dhe me dritën diellore që karakterizon shumë nga tablotë e tij, Durollari sjell copëza nga Pogradeci i tij, liqeni, rrugët e qytetit të vogël, zonat rurale etj. Me frymën impresioniste dhe realiste që karakterizon pjesën më të madhe të peisazheve dhe natyrave të qeta, Durollari sjell tablo që jo vetëm shpalosin shpirtin e tij artistik, por e ftojnë edhe artdashësin të ndalet e t’i shikojë me mjaft kujdes.

Për mikun dhe kolegun e tij Çaush Vathi, arti i Durollarit mbart vlera të veçanta. Ndërsa botuesi dhe koleksionisti i artit Fatmir Toçi, në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, tha se peisazhet e Durollarit janë mbresëlënëse dhe në këtë drejtim ai ngjan shumë me pikturat e Vangjush Mios.

Përveç Pogradecit, qytetit ku është rritur dhe ka zhvilluar veprimtarinë artistike, Durollari ka hapur ekspozita personale edhe në Galerinë Kombëtare në Tiranë, por edhe në Francë, SHBA, Mal të Zi etj.

M.B.