Teuta është në kërkim të një klienti për të shitur Blerim Krasniqin. Sulmuesi u mor me shumë bujë nga Skënderbeu verën e shkuar, por nuk plotësoi pritshmëritë e bluve që u shpallën kampionë.

Në kampionatin e fundit ai luajti 34 takime dhe shënoi 4 gola. Janë disa skuadra që duan shërbimet e shtatlartit, dhe një prej tyre është Ballkani i Suarekës.

Gjithsesi, ekipi kosovar duhet të paguajë që të bëjë të vetin sulmuesin 24-vjeçar që këtë sezon në fushë ka qenë 2389 minuta dhe 27 ndeshje titullar nga 34 që është aktivizuar.

Nga ana tjetër, Teuta kërkon që me paratë e mundshme të arkëtuara nga Krasniqi t’i investojë për të blerë një tjetër futbollist në repartin e sulmit.

Me shumë mundësi operacioni do të kryhet pas Europës, sepse Teuta luan në Champions kundër Sherif Tiraspolit dhe Krasniqi për momentin është sulmuesi kryesor i durrsakëve.

Teuta është një nga skuadrat e vetme që nuk ka bërë ende asnjë afrim në merkato, ndonëse do të luajë në turin e parë të Champions League. Për këtë çështje ka folur trajneri Edi Martini, i cili ka planifikuar me saktësi se çfarë i duhet ekipit të tij.

“Nga merkatoja presim një sulmues dhe gjithashtu një numër 10. Jemi në negociata edhe me dy mbrojtës dhe nëse realizohen të gjitha këto, jemi në rregull”, deklaroi kreu i pankinës durrsake.