Mbrojtësi Elmando Gjini beson te suksesi i Teutës për sezonin e ri. Ai thekson se “Djemtë e Detit” nuk janë një skuadër që bën premtime të mëdha, por në fund realizon synimet e vendosura. Ajo ecuri e mirë në edicionin e fundit do të tentohet që të përsëritet dhe këtë vit.

Elmando si paraqitet gjendja e ekipit pas 10 ditësh përgatitje në Pukë?

Kushtet janë shumë të mira, temperaturat janë normale, nuk është ai i nxehti që është në Durrës. Po përgatitemi 100% çdo ditë me përkushtim dhe me nga dy seanca stërvitore në ditë. Gjendja në ekip është e mirë dhe kryesorja është që s’kemi dëmtime.

Keni zhvilluar tri miqësore. Si i keni parë?

Këto miqësore janë ndeshje për të parë kondicionin fizik të lojtarëve, kemi kohë mjaftueshëm përpara për t’u përgatitur ashtu si duhet. Deri në startin e kampionatit jemi të bindur se do të jemi gati.

Ku mendon se Teuta ka nevojë për përforcime?

Po punojmë me seriozitet dhe presim që të përforcohemi në repartin e sulmit. Këtë e dinë drejtuesit që kanë bërë analizën e duhur, se ku çalon ekipi. Shpresojmë të kemi përforcime shumë të mira dhe të kemi një ekip konkurrues për sezonin e ri.

Çfarë objektivi ka Teuta këtë sezon?

Pretendimet tona do të jenë të mëdha. Teuta çdo vit futet me pretendime të mëdha. Nuk duhet të shohim ekipet kundërshtare, diferencat në kampionatin shqiptar janë shumë të vogla dhe siç e thashë, shpresoj të bëjmë përforcimet e duhura nëse ka nevojë skuadra. Nuk na duhet një fryrje, na duhen vetëm përforcime të mirëmenduara. Kështu do e kemin rrugën e hapur drejt sukseseve të mëdha.

Mendoni se do e nisni mbarë sezonin?

Ndeshja e parë përballë Bylisit nuk do të jetë e lehtë, por gjithsesi fakti që luajmë në shtëpinë tonë është shumë pozitiv. Ne do të vlerësojmë çdo kundërshtar, pasi vetëm kështu mund të marrim maksimumin.