Për të dytën herë brenda një viti himariotët thirren për të zgjedhur kryebashkiakun e ri. Procesi zgjedhor ka nisur dhe qytetarët kanë shkuar të votojnë.

Sipas informacioneve, ka pasur disa problematika, kryesisht në Himarë Fshat, aty ku disa zgjedhës iu ka mbaruar afati i kartës së identitetit dhe mjeteve të identifikimit dhe si pasojë nuk janë lejuar për të votuar.

Zakonisht, Ministria e Brendshme duhet të nxjerrë një urdhër paraprak për të lejuar ose jo, votuesit, të cilëve ju ka mbaruar vlefshmëria e mjetit të identifikimit, por deri më tani, nuk ka nxjerr asnjë urdhër dhe kësisoj KQZ është e prerë në vendimin e saj që nuk do të lejohet asnjë zgjedhës pa mjet identifikimi.

Një tjetër problem ka qenë ai i moshës. Një 100-vjeçar është paraqitur në qendrën e votimit, por nuk e ka gjetur emrin në listë. Kjo pasi të gjithë personat mbi 100 vjeç duhet të bëjnë një verifikim paraprak me një vendim gjykate.

Në fakt, në bashkinë e Himarës janë mbi 130 persona që janë mbi 100 vjeç, që ditën e sotme, mesa duket të paktën deri më tani, do t’iu mohohet e drejta e votës për shkak të moshës.