Nga BUJAR QESJA

Durrsakët përjetuan brenda një ditë, dhimbje dhe trishtim. Lajmet erdhën tronditëse dhe shokuese. U prekën nga dy largime nga jeta, jo vetëm familjet Aleksi dhe Tati, por e gjithë shoqëria durrsake.

Ndonëse ndodhem me pushime, në Voskopojën e largët në distancë me Durrësin, gjej rastin t’u gjendem pranë me komente ngushëlluese, familjeve të Vasil Aleksit, që njihet shkurt Lelo dhe të Petraq Taqit.

Çfarë ka ndodhur? Në një ditë, në një kohë, u ndanë nga jeta të mirnjohurit në punë dhe në jetë për durrsakët, mësuesja Rozina Berdica Aleksi dhe inxhinjeri elektronik Petraq Tati.

Dy portrete të ndryshme në profesionet e tyre, por të përbashkët invesimin personal dhe familjar për Durrësin dhe durrsakët.

Nuk mund të rrija i qetë, pa kryer detyrimin tim shpirtëror, si në shumë raste të kësaj natyre, për t’i përcjellur me fjalë zemre për në banesën e fundit, Rozina Aleksin dhe Petraq ( Taçi) Tati.

Nga pozicioni i publiçistit, me investim të kahershëm profesional për Durrësin dhe qytetarët e tij, jam i sigurtë që mbështes opinion të përgjithshëm, për të ngushëlluar familjarët për humbjet e Rozit dhe Petraqit.

E kam njohur nga afër Petraq Tatin. I datëlindjes 1948, dha ndihmesë të çmuar në zhvillimin e elektronikës vendase. Kreu detyra të ndryshme në URT ( Uzina e radiove dhe televizorëve). Deri në fund, iu desh të drejtonte ndërmarrjen në ditët e fundit të shuarjes së saj. Më pas hapi një biznes privat, i pandarë nga profesioni i inxhinjerit ekektronik.

Taçi ishte pjesë e fisit shumë të njohur në Durrës Tati, me përfaqësues ekselencë në shoqërinë durrsake, ku kujtojmë fizikantin Vangjel Tati, gazetarin Palush Tati e shumë të tjerë. Por Taçi ishte edhe bashkshorti i stomatologes së mirnjohur, nga më të vjetrat në Durrës Elsa Mima. Por edhe babai i Enios, që i është bërë krah Elsës në ushtrimin e profesionit.

Petraq Taçi, u godit nga hemoragjia cerebrale dhe me gjithë kujdesin e mjekëve, nuk mundi t’ia dalë duke mbyllur sytë përgjithnjë.

Rozina, emër tipik i Shkodrës së prejardhjes, lidhi jetën me të mrekullueshmin njeri, inxhinjerin shumë të njohur elektronik Vasil ( Lelo) Aleksi. Rozi njihet në Durrës si mësuese e zonja dhe falë këtyre cilësive, zen vend të nderuar në arsimin e qytetit.

Familja e Lelo Aleksit prej shumë vitesh, është vendosur në Pulignano a Mare, krahinë në rajonin e Pulias. Dhe aty mbeten, shembull i qytetarisë dhe civilizimit. Lelo është lindur në Itali dhe nuk ishte rastësi, që kultura e tij dallonte dhe ishte plotësisht perendimore.

Edhe Aleksët janë të spikatur në Durrës, veçanërisht dy vëllezërit Lelo dhe Luigji, si dhe i jati i tyre Dud Aleksi. Lelo drejtoi me shumë autoritet shoqatën e gjuetarëve të Durrësit dhe ka merita të mëdha, në krijimin e historikut të kësaj shoqate.

Edhe Rozina, si bashkëqytetari i saj Petraq Tati, lëngoi nga një sëmundje e rëndë dhe pati shërbimin e jashtëzakonshëm, të Lelos dhe dy vajzave Adës dhe Silvas.

Më vjen mirë, që trupi i Rozi Aleksit, do të prehet përjetësisht në Durrës.

Në mbyllje, në pamundësi për të shkruar më gjatë dhe më me hollësi, i sos këtu këto rradhë. Dhimbja është e madhe për këto dy humbje, si nga familjarët ashtu edhe për qytetarinë durrsake.

Ndonëse larg, jam shumë pranë miqve të mi, të afërmëve të familjeve Tati dhe Aleksi dhe u çfaq ngushëllimet më të prekshme, më të sinqerta, më të ndjera për largimin nga jeta të Rozina Aleksit dhe Petraq Tatit.

Zoti ua lehtësoftë dhimbjet!

Bujar Qesja

Voskopojë: 9 gusht 2024