Gërmimet e vazhdueshme në një qytet të lashtë grek në Turqinë perëndimore ka nxjerrë në dritë artefakte dhe mbetje arkeologjike që datojnë që nga shekulli i pestë para Krishtit, duke përfshirë një numër të jashtëzakonshëm monedhash ari që ishin fshehur për më shumë se 2000 vjet.
Thesari i gjetur, i groposur me gjasë qëllimisht nën dyshemenë e një shtëpie të shekullit të pestë para Krishtit, mund të tregojë historinë e një ushtari të lashtë mercenar gjatë atyre kohërave të konfliktit. “Zbulimi i një gjetjeje kaq të vlefshme në një gërmim arkeologjik është shumë i rrallë”-tha udhëheqësi i gërmimeve Dr. Christopher Ratté. “Askush nuk gropos një grumbull monedhash, veçanërisht monedha nga metalet e çmuara, pa synuar ta marrë atë. Pra, vetëm ndonjë fatkeqësi më e madhe mund të shpjegojë ruajtjen e një thesari të tillë.”
Vendi përfshin tiparet tipike të një qyteti të lashtë grek, si një teatër, tempuj, shtëpi në qytet dhe një treg. Artefaktet e gjetura tregojnë historinë e atyre që banonin në qytet jo vetëm gjatë periudhës midis mbretërimit të Aleksandrit të Madh dhe Perandorisë Romake, por edhe qindra vjet më parë, kur tensioni ishte i lartë midis qytetërimit grek dhe Perandorisë Persiane.
Monedhat e gjetura i takojnë Perandorisë Persiane, shekulli i gjashtë para Krishtit deri në rreth 330 para Krishtit. Arsyet që mund ta kenë çuar të zotin në braktisjen e monedhave mund të lidhen me sulmet helene të asaj kohe që masakruan një grup mercenarësh për Persinë.