Histori thriller është zbuluar nga policia italiane, pas gjetjes së një trupi të pajetë në pyjet e Ticino-s në provincën e Novaras, ndërsa viktima ishte masakruar.
Lidhur me ngjarjen, Karabinierët e Njësisë së Hetimit Novara arrestuan një 33-vjeçar italian, i akuzuar për vrasje të rëndë me dashje.
Për të njëjtin krim është denoncuar edhe e dashura 29-vjeçare, por në gjendje të lirë. Ajo, sipas hetuesve, mban përgjegjësi për bashkëpunim moral, pasi nxiti partnerin e saj të hakmerrej.
Nga ajo që u zbulua nga hetimi, rezultoi se mbrëmjen e 24 korrikut, 29-vjeçarja kishte blerë një dozë lëndë narkotike nga viktima, Fadili Charaf, një 28-vjeçar maroken, emigrant i parregullt dhe i pastrehë.
Marokeni më pas ka përdhunuar 29-vjeçaren në pyll. Mbrëmjen e së nesërmes, partneri 33-vjeçar mesa duket ka vendosur të hakmerret për të dashurën e tij, sqaron policia e Novarës. Ai dyshohet se ka arritur në të njëjtin vend ku zakonisht qëndronte marokeni. Fillimisht e sulmoi me grushte dhe më pas e goditi me thikë.
Trupi i tij u gjet më pas në mëngjesin e 26 korrikut në të njëjtën zonë ku u vra, në pyllin e Oleggio.
Sipas Karabinierëve, disa dëshmi të mbledhura nga personat që takuan të arrestuarin në rrugë teksa ai largohej me nxitim nga vendi i krimit drejt shtëpisë së tij ishin thelbësore për rindërtimin e fakteve.
33-vjeçari u dërgua në burgun e Novarës, ku ditën e enjte të 8 gushtit iu nënshtrua urdhër-marrjes në pyetje nga gjyqtari për hetime paraprake, i cili dha masën e sigurisë me burg.
Sipas hetuesve, ai ka vrarë Fadili Charaf në shenjë hakmarrjeje.