Forcat ruse ndezën një zjarr në termocentralin bërthamor Zaporizhzhia të kontrolluar nga Rusia në Ukrainën jugore.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky reagoi në lidhje me sulmin, teksa fajësoi Rusinë për përdorimin e centralit bërthamor “për të shantazhuar Ukrainën, dhe të gjithë Evropën dhe botën”.
“Ne presim reagimin e botës, presim reagimin e IAEA. Rusia duhet të jetë përgjegjëse për këtë”, tha ai, duke iu referuar Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.
Yevhen Yevtushenko, kreu i administratës ushtarake të kontrolluar nga ukrainas në distriktin e Nikopolit, tha se kishte informacione jozyrtare se forcat ruse i kishin vënë flakën një numri të madh gomash automobilash në kullat ftohëse.
Ai e quajti atë “një provokim, ose një përpjekje për të krijuar panik” dhe siguroi se uzina “po funksionon sa më normalisht të jetë e mundur në kushtet e okupimit”.
Rusia, nga ana tjetër, akuzoi Ukrainën për ndezjen e zjarrit në territorin e uzinës.
Zyrtari i emëruar nga Rusia në kontrollin e pjesëve të okupuara të Zaporizhzhia, Yevgeniy Balitsky, tha se zjarri ndodhi “si rezultat i granatimeve të qytetit Enerhodar nga Forcat e Armatosura të Ukrainës”.
Ai raportoi gjithashtu se nuk ka asnjë kërcënim rrezatimi për centralin bërthamor ose qytetin e Enerhodar.