Pritja për albumin e nëntë dhe të shumëpritur të Rihanna-s mund të marrë fund. Flitet se këngëtarja 36-vjeçare po përgatitet për publikimin e albumit, sipas një burimi për The Sun.

Fansat mund të kenë një shans për ta dëgjuar live, pasi thuhet se RiRi do të jetë e ftuara kryesore në edicionin e vitit 2025 të festivalit Glastonbury në Angli.

“Ka qenë një shaka e vazhdueshme se sa kohë ka marrë për t’u publikuar albumi i nëntë i Rihanna-s, por më në fund pritja pothuajse ka mbaruar”, tha burimi.

Sipas burimeve, Rihanna ka regjistruar këngë “me bashkëpunëtorë të ndryshëm” në vitet e fundit, duke përfshirë bashkëpunëtorët Alesso dhe Diplo.

Thuhet se ajo ka lëvruar midis zhanreve të shumta ndërsa përpiqej të gjente më origjinalin, megjithëse fansat mund të mos dëgjojnë kurrë eksperimentet e saj të ndërprera.

“Ajo ka kaluar nga pop-i në reggae në hip hop dhe gjithçka në mes”, vazhdoi burimi. “Por, për shkak se ajo dëshiron që të tingëllojë e freskët dhe për shkak të momentit ku është Rihanna në jetën e saj, praktikisht gjithçka u hoq. Rihanna është kthyer në studio prej disa kohësh tani dhe gjërat më në fund po shkojnë në vend”.

Pas publikimit të albumit “Anti” në vitin 2016, Rihanna është fokusuar kryesisht në drejtimin dhe promovimin e kompanive të saj të kozmetikës dhe të brendshmeve, si dhe duke i kushtuar kohë familjes së saj me reperin ASAP Rocky.