Pasi ka kryer dy 2 muaj stërvitje mes Durrësit dhe Pukës, Teuta ka në fokus ndeshjen e parë të sezonit. Skuadra e trajnerit Edi Martini pret Bylisin në “Niko Dovana” ditën e diel dhe objektivi i vetëm është për ta nisur me fitore. Mesfushori Ergys Peposhi ka komentuar përgatitjet e Teutës, grupin e lojtarëve dhe ndeshjen e javës së parë të kampionatit.

Si ka shkuar faza përgatitore e Teutës?

Përgatitjet kanë ecur shumë mirë, çdo ditë e shohim më mirë veten, ndërkohë që atmosfera në klub është shumë pozitive. Kjo na motivon edhe më shumë dhe të gjithë futbollistët premtojmë maksimumin për sezonin e ri.

Sezoni i fundit ishte shumë i mirë në aspektin personal. Po në të riun, çfarë prisni?

Sezonin që shkoi, bashkë me ekipin, kemi pasur ngritje të formës. Kjo gjë më shton motivin dhe obligimin ndaj punës, e vetmja gjë që garanton sukses. Dua të them se meritë të veçantë për ngritjen time kanë të gjithë në klub, sepse më kanë përkrahur dhe më kanë dhënë forcë. Sigurisht që sezonin e ardhshëm do të kërkoj më shumë.

Të dielën nis sezoni i ri me ndeshjen kundër Bylisit. Si e parashikoni?

Vëmendja jonë është te kjo ndeshje. Bylisi është një ekip i vështirë, ndërsa fakti që sapo është ngjitur në Superiore e bën edhe më të vështirë duelin. Teuta është gati dhe do të luajë për maksimumin.

Si e shikoni sezonin e ri, çfarë mund të bëjë Teuta?

Si gjithmonë, diferencat në kampionatin shqiptar janë shumë të vogla, por Teuta do të shohë vetëm veten dhe jo kundërshtarët. Ne duam të jemi një skuadër sa më e konsoliduar dhe të marrim rezultate pozitive në vazhdimësi.

Me çfarë objektivash e nisni këtë sezon?

Duam ta vazhdojmë aty ku e lamë sezonin e kaluar. Parashikoj një kampionat të bukur dhe të ekuilibruar, pasi disa rivalë janë përforcuar, ndërsa të tjerë dëshirojnë të konfirmohen. Të gjithë mezi po presim të fillojë gara. Objektivi i Teutës është të bëjë më mirë se sezonin e fundit. Kemi besim dhe do të shfrytëzojmë mundësitë tona, jemi të vetëdijshëm se mund të bëjmë gjëra më të mira. Synimet në aspektin personal janë të thjeshta: dua të jap gjithçka për ekipin.