Ishte dënuar me vdekje për shkak të këngëve të tij që ishin një formë proteste ndaj republikës islamike, por në një lëvizje të rrallë për vendin e dënimeve të ashpra ndaj atyre që sfidojnë regjimin, Gjykata Revolucionare e Isfahanit e shpalli të pafajshëm reperin Iranian Toomaj Salehin.
Avokati mbrojtës i artistit sqaroi se gjykata në fjalë ishte marrë me rastin e klientit të tij që në vitin 2022 për akuzën për “korrupsion në Tokë”. Ai shtoi se është marrë gjithashtu vendim për “pezullimin e ndjekjes penale për akuza të tjera” , përfshirë publikimin e gënjeshtrave në internet dhe prishje të rendit publik.
Salehi u dënua më vdekje nga Gjykata Revolucionare në maj për akuzën për “korrupsion në Tokë”, por Gjykata Supreme e rrëzoi vendimin e saj dhe rastin e dërgoi në një degë paralele të Gjykatës Revolucionare për rishqyrtim.
Reperi po vuante një dënim me burgim gjashtëvjeçar për përfshirjen e tij në protestat e vitit 2022 që e tronditën Iranin, kur u dënua me vdekje për akuzën për “korrupsion në Tokë”. Për herë të parë, 33 vjecari ishte prangosur tetorin e dy viteve më parë pasi ishte deklaruar publikisht në mbështetje të protestave që shpërthyen shtatorin e atij viti pas vdekjes së Mahsa Aminit në duart e policisë së moralit me arsyetimin se nuk e kishte vendosur siç duhet mbulesën e kokës së njohur si hixhab.