Zëvendëskryeministri pro rus i Serbisë, Aleksandar Vulin, tha të mërkurën në Moskë se vendi i tij “nuk është pjesë e histerisë antiruse”, duke i siguruar zyrtarët e lartë të Rusisë se Beogradi nuk do të bëhet pjesë e sanksioneve kundër Kremlinit.

Ai i bëri këto komente gjatë një takimi me ministrin e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Sergej Lavrov.

Në një njoftim të qeverisë serbe thuhet se të dy zyrtarët u pajtuan se bashkëpunimi dypalësh ndërmjet Serbisë dhe Rusisë është shumë i mirë dhe se po zhvillohet në të gjitha nivelet, para së gjithash falë marrëdhënieve miqësore dhe të përzemërta mes presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe atij rus Vladimir Putin.

“Vulin përsëriti se është krenar që Serbia nuk është pjesë e histerisë anti-ruse dhe se nuk ka vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse”, thuhet në njoftim.

Serbia kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por ruan lidhje të ngushta me Rusinë dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, në radhë të parë për shkak të mbështetjes së Kremlinit për pretendimet e Beogradit ndaj Kosovës.

Në njoftim e qeverisë serbe thuhet se zv/kryeministri Vulin “i shprehu mirënjohjen e tij Rusisë dhe ministrit Lavrov për qëndrimin e tyre parimor për tërësinë tokësore dhe sovranitetin e Serbisë dhe për mbështetjen e tyre vetëmohuese në luftën e popullit serb kundër rezolutës për Srebrenicën”.

Vizita e zëvendëskryeministrit serb Vulin në Rusi është e dyta që kur ai u emërua në këtë post në pranverën e këtij viti.

Ai u emërua në qeverinë e Serbisë disa muaj pasi në nëntor të vitit 2023 dha dorëheqje nga posti i shefit të Agjencisë Serbe të Zbulimit, pasi që në korrik të atij viti sanksionua nga Shtetet e Bashkuara, për përfshirje në veprimtari korruptive dhe destabilizuese që dëmtojnë sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor, për ndihmë Moskës në veprimtaritë keqdashëse dhe për lidhje me një tregtar armësh dhe një rrjet të trafikut të drogës.

Rikthimi i tij në post qeveritar ku kishte shërbyer edhe më parë si ministër e Brendshëm e ministër i Mbrojtjes, nxiti “zhgënjimin” e Shteteve të Bashkuara, ndërsa opozita serbe tha se me përfshirjen e tij në qeverinë e re “Serbia zyrtarisht nuk është më në rrugën evropiane”.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç prej vitesh pretendon se ndjek një politikë “neutrale”, duke balancuar lidhjet mes Moskës, Pekinit, Brukselit dhe Uashingtonit.

Zëvendëskryeministri i tij Vulin ka diskutuar me zyrtarët në Moskë për forcimin e bashkëpunimit strategjik si dhe “modelet dhe mekanizmat për vendosjen e bashkëpunimit ndërmjet Serbisë dhe organizatës BRICS”, një bashkim ekonomik i vendeve si Rusia dhe Kina, së bashku me vende të tjera nga Azia, Afrika dhe Amerika Jugore./voa