Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me temperatuat e larta që priten në ditët në vijim në vendin tonë të cilat rrisin rrezikun për rënien e zjarreve.

Në njoftim, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u bën thirrje njësive të vetëqeverisjes vendore, prefekturave dhe forcave operacionale të mbajnë në gatishmëri kapacitetet njerëzore dhe logjistike dhe të reagojnë menjëherë ndaj çdo vatre zjarri.

AKMC gjithashtu u ka bërë thirrje qytetarëve të respektojnë masat parandaluese dhe të tregojnë kujdes duke mos ndezur zjarre dhe duke mos hedhur bishta cigaresh në tokë.

“Sipas të dhënave më të fundit të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian, në ditët në vijim priten temperatura të larta dhe kushte meteorologjike që rrisin ndjeshëm rrezikun e zjarreve në rajon. Për Greqinë dhe Turqinë parashikohet një nivel shumë ekstrem i rrezikut nga zjarret, ndërsa situata mbetet kritike edhe në disa pjesë të Evropës.

Për shkak të rritjes së temperaturave në rajon, pritet që edhe vendi ynë të përballet me një rrezik të shtuar për shfaqjen dhe përhapjen e zjarreve. Në këtë kuadër, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u kërkon njësive të vetëqeverisjes vendore, prefekturave dhe forcave operacionale të mbajnë në gatishmëri kapacitetet njerëzore dhe logjistike, të reagojnë menjëherë ndaj çdo vatre zjarri dhe, në rast të shterimit të kapaciteteve vendore, të kërkojnë pa vonesë mbështetje, sipas procedurave të përcaktuara në sistemin e mbrojtjes civile.

Njëkohësisht, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u bën thirrje të gjithë qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të respektojnë masat parandaluese:

• Mos ndizni zjarre në ambiente të hapura.

• Mos hidhni bishta cigaresh në pyje, kullota apo pranë bimësisë së thatë.

• Mos digjni mbetje, barishte apo materiale të tjera në kushtet e temperaturave të larta.

• Nëse konstatoni një vatër zjarri, njoftoni menjëherë shërbimet e emergjencës, pasi raportimi në kohë është vendimtar për kufizimin e përhapjes së flakëve.

Parandalimi është përgjegjësi e përbashkët. Me kujdesin dhe bashkëpunimin e të gjithëve, mbrojmë jetën, pronën dhe mjedisin”, thuhet në njoftim.