Teksa kërkimet për gjetjen e 7 trupave të zhdukur në bregdetin e Porticello pranë Siçilisë po vazhdojnë prej ditës së djeshme (19 Gusht), pas tragjedisë që shkaktoi cikloni duke mbytur velierën me 22 persona në bord, dalin edhe pamjet e para të momentit fatal.
Këto janë pamjet e anijes me vela “Bayesian”, me flamur anglez dhe me emra të njohur të botës së biznesit në bord, të marra nga kamerat e vëzhgimit të një shtëpie në Porticello.
Varka, e cila lëkundet pak milje nga bregu, është “gëlltitur” nga stuhia e fuqishme e Mesdheut.
Edhe pse video është vështirësisht e dallueshme për shkak të natës dhe kohës, dallohet me kujdes në largësi në mes të detit një dritë e direkut të velierës 56 metra të gjatë që lëkundet, lëviz dhe më pas zhduket.
Një sekuencë që zgjat 1 minutë dhe 13 sekonda dhe që publikohet nga “La Repubblica”. Ngjarja pati 15 të mbijetuar, mes tyre edhe një foshnjë njëvjeçare, teksa kuzhinierja dhe 6 të tjerë janë përpirë bashkë me barkën.
Trupat e të zhdukurve mund të jenë bllokuar brenda varkës.
Midis tyre janë manjati britanik dhe pronari i jahteve Mike Lynch, vajza e tij 18-vjeçare Hannah, presidenti i “Morgan Stanley International”, Jonathan Bloomer, me gruan e tij Anne Elisabeth dhe avokati i Lynch, Chris Morvillo, me gruan e tij Nada.
15 personat e tjerë që ishin në bord, përfshirë pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit, u shpëtuan menjëherë pas fundosjes.
Autoritetet thanë se ngjarja ndodhi rreth orës 05:00 të mëngjesit të së hënës dhe barka ndodhej pak më larg se çfarë duhej nga bregu, pa mundësi shpëtimi në kohë nga roja bregdetare apo mjetet e tjera më të fuqishme.
Pra u ndodh në vendin dhe kohën e gabuar.
Ishte një tjetër varkë që shpëtoi të mbijetuarit momente më pas dhe që ndodhej afër, teksa e përballoi stuhinë.