Policia e Tiranës ka arrestuar një 35-vjeçar, pasi kishte përshtatur lokalin në ambient për përdorimin e drogës.

Sipas policisë në pranga u vu shtetasi me iniciale B.L, ndërsa u proceduan në gjendje të lirë 9 klientët e tij.

“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë për veprat penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve” dhe “Përshtatja e lokalit për përdorim droge” të shtetasit: B. L., 35 vjeç, pasi në bashkëpunim dhe me Forcën e Posaçme “Shqiponjat”  gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin në pronësi të këtij shtetasi dhe të 9 klientëve të konstatuar aty (të proceduar në gjendje të lirë) u gjetën dhe u sekuestruan sasi me lëndë narkotike kanabis”,– njofton policia.

Ndërkohë janë shpallur në kërkim dy persona, pasi akuzohen se kanë goditur me sende të forta një agjent doganor.

“Më datë 26.06.2021,  u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe punohet për kapjen e shtetasve L. Ç., 32 vjeç dhe J. V., 23 vjeç, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për shkak të detyrës, kanë goditur me sende të forta shtetasin  M. A., 41 vjeç, me detyrë agjent doganier, i cili pas mjekimit në spital u largua për në banesë”,– thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.