Një aeroplan turistik me nëntë persona në bord u rrëzua në xhunglën e provincës lindore të Chachoengsao në Tajlandë. Avioni u rrëzua pasditen e së enjtes teksa udhëtonte nga Bangkok në Trat, pranë kufirit me Kamboxhian. Sipas guvernatorit Chonlatee Yangtrong, të gjithë pasagjerët dyshohet se kanë ndërruar jetë. 

Nëntë persona, duke përfshirë dy pilotë dhe shtatë pasagjerë, po udhëtonin nga aeroporti Suvarnabhumi i Bangkok për në provincën Trat, një zonë në Gjirin e Tajlandës e njohur për plazhet e saj, kur avioni u rrëzua.

“Kjo ndodhi rreth orës 15:10 (0810 GMT). Ne po përpiqemi t’i gjejmë të zhdukurit, por besojmë se ata janë të gjithë të vdekur”, tha guvernatori i Chachoengsao, Chonlatee Yangtrong, të enjten.

Pasagjerëtr ishin katër tajlandezë dhe pesë kinezë, duke përfshirë dy fëmijë të moshës 12 dhe 13 vjeç. Më shumë se 300 personel ushtarak dhe vullnetarë janë vendosur në kërkim dhe autoritetet kanë nisur një hetim për të identifikuar shkakun e rrëzimit. Ata kanë gjetur disa pjesë të trupit, si dhe pjesë të avionit. Por reshjet e dendura të shiut po pengojnë kërkimin.

“Ne nuk po planifikojmë të ndalemi derisa t’i gjejmë ato, megjithëse ka disa zona të mbytura me ujë,” tha Chonlatee.