Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në një takim zyrtar ditën e djeshme shefin e CIA-s, William Burns. Me anë të një postim në rrjetet sociale, Osmani thotë se aleanca me SHBA-të është garanci për siguri, paqe dhe sukses.

“Aleanca me Shtetet e Bashkuara, garanci për siguri, paqe e sukses! Kënaqësi që mirëprita dje në Republikën e Kosovës Shefin e Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), Ambasadorin William Burns”, ka shkruar Osmani.

Vizita e shefit të CIA-s në Kosovë pason vizitat që zyrtari kryesor i inteligjencës amerikane zhvilloi në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi. Në Sarajevë më 20 gusht, Burns u takua me drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Bosnje e Hercegovinës, Almir Xhuvo, dhe me anëtarët e Presidencës së Bosnjës, Denis Beqiroviç, Zhelko Komshiç dhe Zhelka Cvijanoviç, anëtaren serbe të sanksionuar nga SHBA-ja.