Departamenti amerikan i Shtetit tha se vlerëson partneritetin e vazhdueshëm të Serbisë “në luftimin e agresionit të Rusisë në Evropë dhe në ndihmën humanitare për popullin ukrainas”.
Në një përgjigje dërguar Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, DASH-i tha se bashkëpunimi i Shteteve të Bashkuara me udhëheqësit serbë është i fokusuar në “forcimin e partneritetit strategjik mes dy shteteve tona, teksa Serbia ndërton të ardhme të sigurt dhe prosperuese në Evropë që është e paprekshme nga shantazhi politik dhe ekonomik i Rusisë”.
Ky institucion u pyet që të komentonte akuzat e bëra nga aktivisti rus, Andrei Pivovarov, i cili tha se zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, ishte përfshirë në arrestimin e tij më 2021.
Por, nga DASH-i thanë se Vulin vazhdon të jetë në listën e sanksioneve amerikane.
“Qëndrimi ynë sa i përket Aleksandar Vulinit tashmë dihet. Ai vazhdon të jetë nën sanksione amerikane. SHBA-ja nuk ka asnjë rol në emërimin e pjesëtarëve të Qeverisë serbe”, tha DASH-i në përgjgjen dërguar REL-it.