Në vitin 2019, Kuvendi miratoi ligjin për përfitimet në formën e pensionit shtesë për punonjësit e një grupi të profesioneve të vështira. Qëllimi i këtij ligji ishte trajtimi me pension shtesë i punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji.
Këtyre kategorive u sigurohen përfitime suplementare, pension për shkak të profesionit, si dhe shtesë mbi pensionin e pleqërisë dhe shtesë mbi pensionin e invaliditetit. Për të financuar këto përfitime, ligji parashikon derdhjen e kontributeve shtesë për punonjësit e këtyre profesioneve. Por, deri tani, ky ligj po gjen zbatim pak ose aspak.
Shumica e kompanive që kanë detyrimin ligjor të paguajnë kontribute shtesë, nuk e bëjnë një gjë të tillë. Sipas sindikatave dhe fondeve private të pensionit, problemi është se deri tani nuk është gjetur një mënyrë për ta bërë ligjin të zbatueshëm, ose më thjesht, askush nuk merr përsipër të kërkojë llogari për zbatimin e këtij detyrimi.
Organet tatimore kufizohen vetëm në kërkesën për derdhjen e detyrimeve të sigurimeve në skemën e detyrueshme, ndërsa nuk kërkojnë nga kompanitë e sektorëve të mësipërm derdhjen e detyrimeve edhe për përfitimet suplementare, të përcaktuara nga ligji 29/2019.
Ligji kërkon kontribut shtesë në masën 10%
Sipas ligjit 29/2019, “Për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”, masa e përfitimit të shtesës mbi pensionin e pleqërisë për punonjësit e nëntokës parashikohet në masën 1% të pensionit të pleqërisë; për punonjësit e industrinë së naftës e të gazit dhe punonjësit e metalurgjisë, 0,6% të masës së pensionit të pleqërisë.
Shtesën e përfitojnë të gjithë personat që kanë jo më pak se 6 vite në profesionet dhe punët e përcaktuara. Masa e përfitimit të shtesës mbi pensionin e invaliditetit është 1% për çdo vit vjetërsie pune në miniera, në nëntokë, në industrinë e naftës dhe në metalurgji.
Ligji përcakton se përfitimet do të financohen nga kontributet dhe nga buxheti i shtetit. Personat e punësuar në industrinë minerare, në industrinë e naftës e të gazit dhe në metalurgji, dhe punëdhënësit e tyre janë të detyruar të paguajnë kontribut për pension, për shkak të profesionit dhe përfitimet shtesë mbi pensionin e pleqërisë.
Kontributi, që paguhet për mbulimin e përfitimeve të pensioneve për shkak të profesionit, përcaktohet në masën 5% të pagës bruto dhe ndahet në 3% nga punëdhënësi dhe 2% nga punëmarrësi. Kontributi që paguhet për mbulimin e përfitimeve shtesë mbi pensionin e pleqërisë
përcaktohet në masën 5% të pagës bruto dhe ndahet në 2,5% nga punëdhënësi dhe 2,5% nga punëmarrësi. Kontributet për të punësuarit mbi moshën 48 vjeç, mblidhen dhe derdhen në fondin e sigurimeve
shoqërore. Diferenca ndërmjet efektit financiar të dy llojeve të përfitimeve, sipas këtij ligji, me kontributet shtesë, do të përballohet nga fondet e buxhetit të shtetit.
Mosderdhja e kontributeve të parashikuara me ligj për punonjësit mbi moshën 48 vjeç ka si rezultat direkt shtimin e barrës që duhet të përballohet nga buxheti i shtetit.
Për punonjësit nën moshën 48 vjeç, në momentin e miratimit të ligjit, kontributet shtesë duhet të derdhen në një nga fondet e licencuara të pensionit privat.
Për këtë segment të punonjësve, natyrisht që problemi është më i madh, sepse pagesa e pensionit shtesë të tyre në të ardhmen nuk mund të subvencionohet as nga shteti.
Sindikatat: Nuk ka vullnet për ta zbatuar këtë ligj
Kol Nikolla, President i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, shprehet se nga institucionet mungon vullneti për ta zbatuar këtë ligj.
“Ne vërejmë se ka mungesë totale të dëshirës për ta zbatuar këtë ligj. Nëse ky ligj nuk zbatohet, shumë shpejt do të ballafaqohemi me të njëjtat situata që po shohim sot tek ish-naftëtarët apo ish-gjeologët, etj.
Nga informacionet jozyrtare që kemi, nga 10-12 mijë minatorë që punojnë në miniera, kontributi derdhet për më pak se 2 mijë prej tyre.
Në industrinë e naftës, gjendja është pak më e mirë, duke qenë se në përgjithësi, aty veprojnë kompani të mëdha huaja, që janë më serioze në zbatimin e detyrimeve ligjore.
Në sektorin e kromit dhe të bakrit, me sa dimë ne, përkatësisht vetëm një kompani i paguan kontributet shtesë, ndërsa të tjerat nuk i paguajnë. Kjo do të ketë pasoja për ta në të ardhmen”, thotë ai.
Sipas tij, arsyeja kryesore pse kjo ndodh është që në Shqipëri, kultura e zbatimit të ligjit vazhdon të jetë e dobët.
“Strukturat ligjzbatuese në kontrollet e tyre mjaftohen me pagesën e normës së detyrueshme ligjore të kontributeve për pensionin bazë, por vërejmë se nuk ka shumë kontrolle për zbatimin e legjislacionit të posaçëm, siç është ligji në fjalë.
Ana tjetër e medaljes është se vetë punëdhënësit janë pak të ndërgjegjshëm se ligji duhet zbatuar dhe se të drejtat e punonjësve duhen respektuar.
Vetëm në vitet e fundit, në disa sektorë po e kuptojnë rëndësinë e burimeve njerëzore dhe forcës së punës”, – shprehet z. Nikolla.
Lidhur me numrin e punonjësve që duhet të përfitojnë nga ky ligj, ai vëren se shifrat zyrtare këtu te ne nuk janë shumë të sakta.
Megjithatë, nga të dhënat dytësore të KSHS, vlerësohet se në momentin e miratimit të ligjit mund të kenë qenë rreth 17 mijë punonjës që ishin objekt i këtij ligji, ndërsa aktualisht, ky numër është ulur, mund të jetë në rreth 14 mijë punonjës.
Pjesë e problemit, sipas z. Nikolla, është edhe mungesa e kontratave kolektive të punës dhe mungesa e një roli efikas të sindikatave. Në mungesë të sindikatave të forta, presioni mbi punëdhënësit për të zbatuar detyrimet ligjore natyrisht që është më i vogël.
“Nëse nuk bëhet një ligj i mirëfilltë për sindikatat dhe kontratat kolektive, në mënyrë që të ekzistojë një kontratë kolektive për të gjithë punonjësit e një sektori, për shembull të minierave.
Në këtë kontratë kolektive, përcaktohen edhe kriteret që duhen respektuar. Qeveria qëllimisht nuk i bën të detyrueshme kontratat profesionale, duke i anashkaluar sindikatat dhe duke dobësuar mundësitë e tyre për të ushtruar rol efektiv në mbrojtje të punonjësve. Mund të jemi i vetmi shtet që nuk kemi rregulla loje.
Një sindikatë mund ta bësh me 20 vetë, ose me 100 mijë vetë. Kemi mbi 200 sindikata të regjistruara, por realisht asnjëra nuk ka mjetet ligjore për të mbrojtur të drejtat e punonjësve.
Në vitet e fundit, shumë kompani po krijojnë sindikata duke i lënë në duar të punonjësve të besuar dhe natyrisht që këto sindikata u shërbejnë më shumë punëdhënësve, sesa punëmarrësve”, – thotë ai.
Fondet private, dy zgjidhje për ta bërë ligjin të zbatueshëm
Elton Korbi, president i Shoqatës së Siguruesve të Jetës, Pensioneve dhe Fondeve të Investimeve (SHSJPFI), shprehet se deri tani, ligji 29/2019 nuk po gjen zbatim dhe ndërmarrjet që janë objekt i këtij ligji nuk po derdhin kontribute, as për pjesën që i takon Institutit të Sigurimeve Shoqërore, as për atë që prek fondet private të pensionit.
Sipas tij, problemi është se ligji nuk përcakton një strukturë që duhet ta ndjekë zbatimin e detyrimeve që rrjedhin prej tij. SHSJPFI sugjeron dy zgjidhje, për ta bërë ligjin të zbatueshëm. Alternativa e parë do të ishte angazhimi i organeve tatimore, siç ndodh edhe me mbledhjen e sigurimeve të skemës bazë së detyrueshme.
“Njëra zgjidhje, që sugjerojmë, është që agjent për mbledhjen e këtij fondi të jetë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Kjo do të kërkojë disa ndryshime në legjislacionin përkatës, si në atë për sigurimet e detyrueshme, ashtu edhe në ligjin që po flasim, 29/2019. Nga komunikimi që kemi pasur me Ministrinë e Financave, ata po e konsiderojnë një zgjidhje të tillë. Në këtë rast, fondet e pensionit do të duhet të lidhin kontratë me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, për mbledhjen e këtyre detyrimeve”, thotë z. Korbi.
Një zgjidhje tjetër, sipas tij, mund të jetë angazhimi në këtë proces i strukturave që administrojnë dhënien e lejeve për kompanitë e sektorit minerar, duke e përcaktuar pagesën e kontributeve shtesë të përcaktuar nga ligji 29/2019, si kusht për rinovimin e lejeve.
“Një alternativë e dytë, që nuk e kemi propozuar ende zyrtarisht, por që mund të jetë si alternativë, është që pagesa e këtyre kontributeve të vendoset si kusht për rinovimin e licencave të sektorit energjetik dhe minerar.
Të tria aktivitetet që rregullohen nga ligji për përfitimet shtesë të profesioneve të vështira kërkojnë lëshimin e licencave nga institucionet në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Momenti kur duhet rinovuar licenca mund të jetë koha e përshtatshme për të bërë të detyrueshëm edhe pagesën e kontributeve që përcaktohen nga ligji në fjalë”, shprehet ai.
Kontributet shtesë, alternativë edhe për profesione të tjera
Ligji për përfitimet shtesë të pensionit për profesionet e vështira përfaqësoi, në njëfarë mënyre, hapin e parë drejt testimit të një kolone të dytë brenda sistemit shqiptar të pensioneve. Deri tani, kjo provë ka dështuar, sepse, siç ndodh jo edhe aq rrallë në Shqipëri, nuk është gjetur një mekanizëm që ligji të bëhet i zbatueshëm.
Megjithatë, prej vitit të kaluar, përfaqësues të qeverisë kanë artikuluar, për herë të parë, mundësinë për të ndërmarrë një reformë pensionesh, që të përfshijë edhe një kolonë të dytë, në formën e anëtarësimit të detyrueshëm në një fond të pensioneve private.
Ndërkohë që priten zhvillime në këtë drejtim, përfaqësuesit e tregut të fondeve private mendojnë se ekzistojnë edhe profesione të tjera për të cilat është e domosdoshme përfshirja ligjore në skema të pensioneve suplementare.
“Shumë profesione kanë jetëgjatësi profesioni të shkurtër. Për shembull, arsimtarët, sportistët, artistët, kanë një periudhë pune më të shkurtër, krahasuar me profesionet e tjera.
Për shembull, një futbollist apo një peshëngritës nuk mund të vazhdojë të punojë dhe të derdhë kontribute deri në moshën 65-vjeçare. Legjislacioni aktual nuk ju jep zgjidhje të mirëfilltë këtyre profesioneve, me përjashtim të përfitimit të një pensioni të pjesshëm.
Njëkohësisht, kjo krijon një barrë për shtetin dhe shoqërinë. Për profesione të tilla mendojmë se do të ishte e domosdoshme të vendoseshin detyrime të posaçme ligjore për kontribute suplementare, të ngjashme me ato të ligjit për profesionet e vështira”, – shotë z. Korbi.
Kontributet e pensioneve, nevojitet ndryshim në formularin e DIVA
Derdhja e kontributeve të pensioneve private në përgjithësi, duke përfshirë edhe pjesën që lidhet me kontributet për punonjësit e profesioneve të vështira, vazhdon të ketë edhe disa probleme teknike të lidhura me deklarimin dhe llogaritjen e lehtësive fiskale që parashikon ligji.
Sipas ligjit, kontributi i bërë nga çdo anëtar i një fondi pensioni privat zbritet nga të ardhurat personale të tij për efekt tatimi. Por, përfitimi i këtij përjashtimi nga tatimet në praktikë nuk është kaq i lehtë, sidomos në rastin kur derdhja e kontributeve në një fond pensioni privat bëhet direkt nga individi dhe jo nga punëmarrësi.
Në teori, njohja dhe zbritja e kontributeve që derdhen në mënyrë individuale duhet të bëhet nëpërmjet deklaratës vjetore të të ardhurave (DIVA). Por, deri tani, formulari i DIVA-s nuk përmban një hapësirë ku të mund të deklarohen dhe zbriten kontributet në fondet private të pensioneve.
Sipas burimeve nga tregu, Ministria e Financave po punon që kontributet për pensione private të përfshihen si shpenzime të zbritshme nga tatimi në formularin e ri të DIVA-s, mundësisht duke filluar nga viti 2025.
Deri më sot, për personat e anëtarësuar në mënyrë individuale në fondet e pensionit privat, e vetmja mënyrë për të përfituar nga lehtësitë tatimore ka qenë paraqitja e një kërkese pranë punëmarrësit, me qëllim transferimin automatikisht të një shume të caktuar të pagës mujore pranë fondit.
Megjithatë, në praktikë, kjo nuk rezulton gjithmonë e thjeshtë, sepse kërkon bashkëpunimin e punonjësve të financës së punëdhënësit, që ose nuk kanë informacionin e duhur, ose e konsiderojnë këtë si një punë që nuk janë të detyruar ta bëjnë.
Edhe nga pikëpamja teknike, kjo paraqet disa vështirësi. Deri më sot, lehtësitë fiskale që parashikon ky ligj, janë zbatuar në mënyrë manuale nga financierët dhe kontabilistët e kompanive. Më konkretisht, ekspertët shpjegojnë se kjo bëhet duke vendosur në qelizën (15) Paga Totale Bruto, për çdo punonjës, manualisht vlerën mbi të cilët do të llogaritet Tatimi mbi të Ardhurat Personale.
Formulari aktual i listë-pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore nuk parashikon një hapësirë/qelizë të posaçme për paraqitjen e kontributeve në fondet privatë. Megjithatë, të paktën ky problem do të zgjidhet duke filluar nga 1 janari 2025.
Ministria e Financave bën të ditur se Udhëzimi i Përgjithshëm i Ministrit, nr. 26, datë 8.9.2023, “Për tatimin mbi të ardhurat” është miratuar në bazë dhe për zbatim të ligjit nr. 29/2023, datë 30.3.2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”. Në zbatim të këtij Udhëzimi, janë miratuar edhe formularët e deklaratave për efekte tatimore.
Sipas Ministrisë së Financave, në formularin e ri të listë-pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe tatimit mbi të ardhurat nga punësimi është shtuar kategoria (26) shuma që zbritet nga paga dhe derdhet nga punëdhënësi në fondet e pensionit vullnetar si kontribut i punëmarrësit, e cila i jep zgjidhje këtij problemi. Ky formular do të aplikohet duke filluar nga periudha tatimore janar 2025./ Monitor