Është zbardhur dëshmia e Darmen Kelit, i cili pasditen e djeshme vrau me thikë Amarildo Hoxhallarin, i cili po i ngacmonte të fejuarën.

25-vjeçari ka rrëfyer se ka përcjellë të fejuarën e tij te parkimi dhe ka shkuar te banesa e tij, por kur ka dalë në ballkon ka parë që 34-vjeçari ndiqte me motor paralel makinën e të fejuarës së tij dhe e ngacmonte.

Në këtë moment, i riu ka marrë thikën në banesë dhe është përplasur fizikisht me 34-vjeçarin, duke e qëlluar më pas 4 herë me thikë. Plagë të cilat i morën jetën.

 “Përcolla të fejuarën për tek parkimi dhe u ngjita për në shtëpi. Kur dola në ballkon pashë që një motor po e ndiqte dhe fliste duke e ndjekur paralel në makinë. I fola nga ballkoni më pas zbrita. Aty Amarildo Hoxhallari më ofendoi dhe më goditi. Pas përplasjes në një moment e godita me thikën që e kisha marrë nga shtëpia”, ka dëshmuar ai.