Rebelët Houthi, grupi i milicisë me bazë në Jemen që mbështeten nga Irani kanë publikuar një video që supozohet se tregon momentin kur ata hedhin në erë një anije cisternë në Detin e Kuq, e cila transportonte 136,000 ton naftë bruto irakiane.

Anija “Sounion” u braktis nga ekuipazhi të enjten pas sulmeve të përsëritura nga rebelët Houthi, të cilët hipën në anijen e braktisur dhe e rrethuan atë me eksploziv duke e shpërthyer më pas.

Cisterna me flamur grek ende kishte tym që dilte nga disa pika përgjatë kuvertës të dielën dhe flakët shihen duke vijuar në të paktën nëntë vende të ndryshme në kuvertën e saj, ndërsa shenja të zjarrit ka edhe pranë kapakëve të rezervuarëve të naftës.

“Sounion mbetet në flakë dhe duket se është në lëvizje, por nuk ka shkaktuar një rrjedhje të madhe të naftës në rrugë ujore”, tha të hënën Operacioni Aspides i BE-së, misioni i të cilit është të mbrojë anijet që kalojnë në Detin e Kuq.

Departamenti Amerikan i Shtetit paralajmëroi se nëse nafta e papërpunuar derdhet në Detin e Kuq, fatkeqësia mjedisore mund të jetë më e madhe se në rastin e “Exxon Valdez”, pasi 136,000 ton naftë mund të derdhet dhe të rrezikojë shkëmbinjtë koralorë dhe kafshët e egra në zonë.

“Deri më tani nuk ka shenja të dukshme të një rrjedhje nafte”, tha misioni i BE duke sqaruar në vijim se Sounion është njëkohësisht një rrezik lundrimi dhe mjedisor.