Greqia ka përjetuar 50 për qind më shumë zjarre gjatë kësaj vere sesa më 2023, tha një zëdhënës i qeverisë greke më 26 gusht.

Pas valës së hershme të të nxehtit dhe dimrit më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë, stina e verës në Greqi është përshkruar nga një sërë zjarresh që kanë shkatërruar zona në verilindje të Athinës.

“Që nga 1 maji, zjarrfikësit janë përballur me rreth 4.000 zjarre, një rritje prej 50 për qind krahasuar me vitin e kaluar”, tha për gazetarët zëdhënësi Pavlos Marinakis.

Zjarri më i keq i këtij viti shpërtheu më 11 gusht afër qytetit historik, Maratona, 40 kilometra në verilindje të kryeqytetit grek, Athina.

I nxitur nga erëra të fuqishme, zjarri ka shkatërruar 10.000 hektarë, ka marrë jetën e një gruaje dhe ka detyruar mijëra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre.

Dy javë që nga shpërthimi i zjarrit masiv, opozita po kritikon qeverinë për mënyrën se si po menaxhon këto fatkeqësi, që shkencëtarët thonë se po bëhen më të këqija nga ndryshimet klimatike.

Javën e kaluar, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, u përball me protesta të banorëve të zemëruar teksa vizitoi zonat e prekura nga zjarri.

Kryeministri grek mbrojti shpejtësinë e përgjigjes të autoriteteve, duke u thënë gazetarëve se u deshën vetëm 5 minuta që avionët të angazhoheshin në shuarjen e zjarreve dhe vetëm 2 minuta që të mobilizoheshin më shumë trupa tokësore, falë dronëve vëzhgues.

Shkencëtarët kanë thënë se emetimet e karburanteve fosile po përkeqësojnë gjatësinë, shpeshtësinë dhe intensitetin e valëve të të nxehtit në mbarë botën./REL