Skemë mashtrimi për përvetësimin e një automjeti luksoz me vlerë 200 mijë euro, arrestohet Elvis Kosova. Mësohet se operacioni u krye nga komisariati nr. 1 në kryeqytet.

Po ashtu raportohet se një shtetas turk ka marrë një ‘Audi’ me qira në Gjermani dhe pasi ka ardhur në Shqipëri ia ka dhënë Kosovës dhe ka bërë kallëzim se ia kanë vjedhur pranë një hoteli tek “Air Albania”.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe ato të Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për garantimin e sundimit të ligjit në territor, goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe në çdo formë të shfaqjes së tyre, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “R 8”.

Si rezultat i tij u arrestuan shtetasit Y. E., 39 vjeç, banues në Gjermani, dhe E. K., 38 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu po punohet për kapjen e shtetasit J. H., 20 vjeç, banues në Prush.

Shtetasi Y. E., ka marrë me qira një automjet tip “Audi”, në Gjermani, të cilin e ka sjellë në Shqipëri dhe më pas ka bërë kallëzim të rremë se ia kanë vjedhur në afërsi të një hoteli në Tiranë. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, ja ka dhënë automjetin shtetasit E. K., dhe ka bërë kallëzim të rremë për vjedhjen e tij, për qëllime përfitimi.

Gjatë kontrollit në oborrin e një banese në fshatin Prush, u gjet i parkuar automjeti tip “Audi”, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me 4 aparate celulare.

Vijon puna për kapjen e shtetasit J. H., i cili kishte fshehur automjetin në oborrin e banesës së tij.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.