Mbrëmjen e kësaj të enjte, në afërsi të Sllatinës në magjistralen Prishtinë-Pejë është rrokullisur një makinë, në të cilën ndodheshin pesë persona brenda.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, deklaroi se përveç dëmeve të rënda trupore, raportohet edhe për pasoja fatale nga ky aksident.

Sipas informatave të para, personi që po ngiste mjetin kishte humbur kontrollin mbi të.

Zëdhënësi Hoxha tha se në vendin e ngjarjes është policia, ekipi emergjent dhe zjarrfikësit, raportojnë mediet e Kosovës.

“Autoritetet ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po kryejnë hetime, përderisa për detaje do të njoftoheni pas raportimeve shtesë nga zyrtarët nga vendi i ngjarjes”, deklaroi Hoxha.