NATO është shprehur e zhgënjyer nga aksioni i së premtes nga autoritetet e Kosovës në veri, kundër strukturave paralele serbe. Zëdhënësja e NATO-s, Farah Dakhlallah, ka thënë se veprimet ishin të pakoordinuara.

“Shumë të zhgënjyer nga aksionet e djeshme në veri të Kosovës që nuk ishin të koordinuara me KFOR-in pavarësisht zotimeve të përsëritura për ta bërë këtë”, ka shkruar ajo në Twitter.
Zëdhënësja e NATO-s ka thënë se KFOR-i është i përgatitur për mandatin e tij të dhënë nga Rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara. Ajo ka bërë thirrje për depërshkallëzim dhe angazhim në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Një ditë më parë, Policia e Kosovës mbylli strukturat paralele serbe në katër komunat në veri. Reagimi ishte i menjëhershëm nga partnerët ndërkombëtarë që e cilësuan të njëanshëm veprimin e Kosovës.