Deputeti Enkelejd Alibeaj ka deklaruar se këtë sesion të ri parlamentar nuk do të jetë në të njëjtin grupim me Lulzim Bashën. I ftuar në Euronews Albania, Alibeaj tha se tashmë ai dhe disa deputetë të tjerë të cilët ndajnë të njëjtat mendime në disa çështje thelbësore për shoqërinë shqiptare, kanë rëndë dakord që të krijojnë një grupim të përbashkët politik.

I pyetur nëse mund të zbulojë emrat se cilët deputetë do të jenë pjesë e këtij grupimi Alibeaj tha se secili do të flasë vetë dhe do e vlerësoj vetë pozicionin politik dhe qëndrimet që ka mbajtur. Ai tha se nëse një deputet është pro mbështetjes pa kushte ndaj SPAK-ut, nuk ka nevojë për ftesë në këtë grupim politik.

“Bashkë me disa kolegë ne kemi rënë dakord që për sa kohë kemi pasur një qëndrim dhe të shkuar politike të përbashkët, në çështje thelbësore, sensitive, që shqetësojnë shoqërinë shqiptare, është e udhës që të mblidhemi dhe të formojmë një grupim politik. Në mënyrë që në Kuvend të mos kemi vetëm një “ofertë opozitare” që është nën urdhrat e Sali Berishës por të ketë një ofertë tjetër opozitare, një zë tjetër, një opozitë ndryshe me qëndrime të qarta për çështjet kryesore që shqetësojnë shoqërinë dhe të ardhmen e këtij vendi. Kemi rënë dakord të jemi larg ortakorisë Rama dhe Berisha”, tha Alibeaj.