Është vënë në pranga 66-vjeçari Nosh Qukaj, i cili ishte shpallur në kërkim që prej tre ditësh, pasi pranë banesës së tij policia gjeti rreth 8 Kg kanabis.

Sipas policisë, ai ishte shpallur në kërkim pasi gjatë kontrollit të territorit të kryer në kuadër të megaoperacionit “Territor i pastër”, në fshatin Kasnec, në oborrin e banesës së tij dhe në afërsi të banesës, u gjetën 8.256 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa në formë boçeje.

Ndërkohë, vijon puna për kapjen e djalit 17 vjeç Nosh Qukaj, i dyshuar i përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Njoftimi i policisë

U shpall në kërkim 3 ditë më parë, në kuadër të megaoperacionit “Territor i pastër”, pasi afër banesës së tij, Policia gjeti 8 kg e 256 gramë cannabis në formë boçeje, kapet dhe vihet në pranga 66-vjeçari.

Në zbatim të planit të masave të hartuar në kuadër të megaoperacionit kombëtar “Territor i pastër”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, identifikimin dhe kapjen e autorëve, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Shkodër, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasin Nosh Qukaj, 66 vjeç.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi gjatë kontrollit të territorit të kryer në kuadër të megaoperacionit “Territor i pastër”, në fshatin Kasnec, në oborrin e banesës së këtij shtetasi dhe në afërsi të banesës, u gjetën 8.256 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa në formë boçeje, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Vijon puna për kapjen e djalit 17 vjeç të shtetasit Nosh Qukaj, i dyshuar i përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.