Belind Këlliçi ka hedhur akuza të forta në drejtim të Delegacionit të BE-së në Shqipëri, gjatë protestës së organizuar para Bashkisë së Tiranës.

Këlliçi tha se protesta ka treguar vendosmërinë e qytetarëve të Tiranës për ti bërë ballë atyre që kanë kapur për fyti qytetin e e Tiranës.

“Ambasadori i BE, Silvio Gonzato, po i shet si model suksesi të rinjve të Tiranës, Erion Veliajn, një person që është nën hetim nga SPAK.

Një njeri që ka dhënë 2 mijë leje ndërtimi, që ka shkatërruar qytetin e Tiranës, dhe këtë njeri zyra e Delegacionit të BE-së dhe një komuniste si Federica Mogherini na e shesin si histori suksesi.

A mos vallë nuk e dinë që ky njeri është nën hetim pasuror?

A nuk e dini që ajo organizata që e keni financuar ju, që quhet SPAK, ka nën hetim pasuror Erion Veliajn, që i kanë arrestuar gjysmën e drejtorëve dhe gjysmën tjetër e ka nën hetim”, tha Këlliçi.

Ndër të tjera gjatë fjalës së tij, ai quajti “komuniste” ish-Përfaqësuesen e Lartë të të BE-së për Politikat e Jashtme, Federica Mogherini.

“Këtë njeri, zyra e BE në Tiranë, së bashku me një komuniste si Federica Mogherini, vijnë dhe e shesin si një simbol suksesi. Kjo është tallje për çdo qytetar të ndershëm, për çdo njeri me shtyllë kurrizore dhe që ka një pikë dinjiteti”, tha Këlliçi.