Krimi i lidhur me emigrantët në Nju Jork ka rritur shqetësimin mes shumë banorëve të qytetit, disa prej të cilëve fajësojnë për këtë fluksin e emigrantëve pa dokumente në dy vitet e fundit.

Korrespondentët e Zërit të Amerikës Aron Ranen dhe Igor Tsikhananka biseduan me zyrtarë të zbatimit të ligjit, politikanë, aktivistë dhe emigrantë mbi këtë çështje të debatueshme.

Debati mbi çështjen e statusit të Nju Jorkut si një qytet që strehon emigrantët arriti kulmin në janar të këtij vit pas një sulmi ndaj dy policëve në sheshin Times Square, që dyshohet se u bë nga një grup emigrantësh.

Aktualisht, forcat lokale të zbatimit të ligjit nuk e kanë të lejuar të bashkëpunojnë me autoritetet federale të imigracionit.

Edhe kur emigrantët dënohen për krime dhe lirohen, autoritetet e imigracionit shpesh nuk njoftohen, duke penguar dëbimet e mundshme të tyre nga vendi. Banorët e Nju Jorkut duket se janë të ndarë për këtë çështje.

“Mendoj se gjykatat duhet të komunikojnë me autoritetet federale të imigracionit dhe të dëbojnë ata që kryejnë krime”, thotë banorja e Nju Jorkut Marie Shultz.

“Shumë hotele kanë emigrantë. Unë kurrë nuk kam pasur probleme me ta. Ne kemi Statujën e Lirisë këtu, me mesazhin ‘Ndihmoni të vuajturit, të varfërit dhe ata që duan të jenë të lirë’. Ky është identiteti i qytetit të Nju Jorkut”, thotë banori i Nju Jorkut Karl Kozel.

Ndërkohë, aktivistët që mbështesin emigrantët thonë se kjo çështje është ekzagjeruar.

“Mendoj se Nju Jorku duhet të vazhdojë të jetë një qytet që strehon dhe mbron emigrantët. Theksimi i rasteve të izoluara të emigrantëve që kryejnë krime është thjesht një gjë shumë tipike. Veçimi i rasteve negative është një përpjekje për të njollosur një grup të caktuar njerëzish”, thotë Ilze Thielmann nga organizata “Team TLC NYC”, që mbështet emigrantët.

Në përgjigje të pyetjes së Zërit të Amerikës për këtë çështje në një konferencë shtypi më 27 gusht, kryetari i bashkisë së Nju Jorkut Eric Adams shprehu pikëpamjet e tij për ndryshimin e statusit të qytetit si një strehë për emigrantët.

“Njerëzit që kryejnë akte të dhunshme ndaj njujorkezëve, emigrantëve të tjerë dhe individëve pa dokumente nuk duhet të qëndrojnë në vendin tonë pas mbarimit të dënimeve”, tha ai.

Edhe zyrtarë të qeverisë federale komentuan këtë çështje.

“Ne nuk duam të heqim politikat e strehimit të emigrantëve. Ne duam thjeshtë ndryshime të vogla, që mundësojnë bashkëpunimin me policinë e Nju Jorkut për të arrestuar ata individë dhe për t’i hequr ata nga rrugët”, thotë Ken Genalo nga Zyra e Emigracionit dhe Doganës.

Zoti Genalo thotë se aktualisht nuk ka të dhëna të sakta për krimet e emigrantëve në qytetin e Nju Jorkut.

“Problemi me përpjekjen për të mbledhur shifra dhe statistika mbi krimin e emigrantëve, apo atyre që nuk janë shtetas është se qyteti i Nju Jorkut ka statusin e një qyteti që i strehon emigrantët. Ata kanë politika që pengojnë çdo bashkëpunim me ne. Pra, nëse një individ arrestohet, policia e Nju Jorkut nuk lejohet të pyesë mbi shtetësinë e të arrestuarit. Pra, mund të ketë rritje ose rënie të krimeve të kryera nga emigrantët, por në realitet nuk mund të bëhen këto dallime në një qytet që i mbron emigrantët”, thotë ai.

Banorëve të qytetit, ndërkohë, u lihet të vlerësojnë vetë nëse kërcënimi nga krimet e emigrantëve është i ekzagjeruar apo i saktë.

Shumë emigrantë të pastrehë jetojnë në tenda në ishullin Randall. Disa thonë se pasi perëndon dielli gjendja ndryshon.

“Kur jeni jashtë, zakonisht nuk ndjen siguri sepse shumë njerëz janë të pajisur me armë, disa prej tyre me thika”, thotë Dallo, emigrant pa dokumente në Nju Jork.

“Këtu gjithçka është e rrezikshme. Njerëzit përleshen dhe vriten. Ka gjithçka këtu”, thotë një emigrant tjetër.

Megjithatë, diskutimi mbi çështjen nëse Nju Jorku mund të vazhdojë të jetë një qytet që i mbron emigrantët e paligjshëm dhe të garantojë sigurinë e të gjithë banorëve të tij ende po vazhdon. Vendimi për këtë çështje do të ndikojë për të ardhmen e qytetit dhe atë të politikave të tij./VOA